Teuta hap një faqe të re. Puna ka nisur me stafin e ri teknik në krye. Trajneri Enkeleid Dobi së bashku me ndihmësit e tij Bledar Hodo, Mark Dodaj e Bledian Rizvani, dje kanë zhvilluar takimin e parë me futbollistët. Dobi shpalosi para tyre planin e punës, ndërsa u bëri me dije futbollistëve, se realizimi i objektivave të klubit kërkon punë maksimale dhe disiplinë të rreptë. Menjëherë pas këtij takimi, ekipi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nën drejtimin e stafit të ri teknik.

Teuta ka zbritur në fushën e stadiumit “Niko Dovana” për herë të parë në funksion të sezonit të ri 2025-2026. Seancat e para stërvitore do t’i shërbejnë trajnerit Dobi dhe stafit për të bërë një seleksionim të futbollistëve për sezonin që është në prag. Të gjithë lojtarët kanë qenë të pranishëm në këtë start të përgatitjes, duke përfshirë dhe elementët e rinj, si Përgjoni e Selmani. Të dy, në sezonin e fundit futbollistik, kanë kontribuar për Tiranën dhe pritet që këtë kampionat të jenë pjesë e Teutës. Krahas futbollistëve që janë konfirmuar prej sezonit të kaluar, me ekipin pritet të bashkohen edhe të tjerë cilësorë nga vendi, por edhe nga jashtë kufijve zyrtar të Shqipërisë. Ndërkohë, drejtuesit u kanë uruar lojtarëve një sezon të mbarë. Ata po përpiqen të ndërtojnë një skuadër të aftë që të luftojë për trofe.

Kjo duket qartë nga lëvizjet në merkato, ku përveç largimeve do të ketë edhe afrime lojtarësh të një niveli të lartë, që drejtuesit kanë premtuar se do të jenë cilësorë. Trajneri Dobi ka deklaruar se ka besim te futbollistët që ka në dispozicion dhe do të vazhdojë edhe për këtë sezon ta bazojë lojën te grupi i vjetshëm. Stërvitja ka shkuar sipas planit dhe stafi teknik ka mbetur i kënaqur nga përgatitja fizike e futbollistëve, të cilët kanë mundur të ruajnë formën e tyre edhe përkundër pushimeve disa javore. Seanca e parë është shoqëruar nga një atmosferë entuziaste.

Ardhja e Dobit në krye të pankinës durrsake nuk është shoqëruar me ndryshime në pjesën tjetër të stafit, që do të mbështesë trajnerin gjatë sezonit të ri. Kështu, në rolin e zëvendëstrajnerit do të jetë Bledar Hodo, përgatitës atletik do të vijojë të jetë Mark Dodaj, ndërsa trajner i portierëve Bledian Rizvani. Pritet që Teuta rreth datës 14-15 korrik të akomodohet diku jashtë qytetit të Durrësit, për të zhvilluar edhe fazën më të rëndësishme të përgatitjeve. Vendi nuk është përcaktuar ende. 72 orët në vijim do të jenë ato që do të përcaktojnë edhe vendin se ku do të zhvillohet faza e dytë e përgatitjeve. Përveç seancave stërvitore, do të zhvillohen edhe disa takime miqësore, që do t’i shërbejnë stafit teknik për të parë më mirë gjendjen e ekipit.