Tirana mposhti me rezultatin 2-0 Teutën në takimin e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, me nga një gol për çdo pjesë. 

“Djemtë e Detit”, ishin të pafat në këtë sfidë, pasi goditën traversën në fillim të pjesës së dytë me mesfushorin Beqja, përpara se të shkaktonin dhe një penallti.

Pas ndeshjes trajneri Edi Martini, deklaroi se Teuta duhet të shmangi gabimet për të mbërritur te fitorja.

Disfata në kryeqytet – “Të rëndësishme janë pikët, u goditëm nga dy goditje standarde, kishim rastet tona dhe mundësitë tona, dhamë maksimumin. U munduam që të ndryshojmë në pjesën e dytë, por u ndëshkuam tek penalltia. Më pas nuk kishim mundësi çfarë të bënim. Bravo iu qoftë lojtarëve të Tiranës që uleshin në tokë dhe fusnin mjekët në fushë, na ulën ritmin e ndeshjes, por dhe kjo është meritë dhe bravo iu qoftë”.

Këshilla për sulmuesit – “I kërkoj sulmuesve që ashtu siç mbrojnë të fusin kokën dhe këmbën aty ku nuk duhet, goli duhet të hyjë me dhunë, na mungon sulmuesi, na mungon goli, shpërdorojmë shumë, ata kanë ritëm kanë dëshirë, punojmë por nuk arrijmë tek goli”. 

Mungesa e efikasiteti në sulm – “Na mungon cilësia para portës, pikët janë ata që të vënë në presion, kështu vazhdon situta. Besoj që fitorja do të vijë shumë shpejt me këtë lojë që djemtë po bëjnë. Prapë prisja më shumë, ndrrimet i kisha të detyruar, Iljazi bëri një ndeshje të mirë, me të tjerët sjam shumë i kënaqur, por gjithsesi duhet të ecim përpara”, deklaroi Martini për mediat.