Skuadra e Teutës ka lënë Durrësin dhe ka udhëtuar drejt qytetit të Pukës, për të përfituar nga temperaturat më të ulëta atje dhe për të përgatitur në qetësi e freski sfidën eliminatore të Europa Leagues.

“Djemtë e detit” kanë mbërritur sot në qytetin verior dhe kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore, ndërsa nën urdhrat e trajnerit Edi Martini kanë qenë edhe dy sulmuesit e afruar së fundi Aldrit Oshafi dhe Blerim Krasniqi.

Skuadra durrsake do të qëndrojë 10 ditë në Pukë, për t’u rikthyer sërish më pas në Durrës, ku do të përgatisë ndeshjen ndaj izraelitëve të Beitar Jeruzalem, e përcaktuar për t’u zhvilluar më 27 gusht në “Niko Dovana”.

Shorti për bregdetarët nuk ishte aspak “dashamirës”, pasi u vuri përballë një skuadër mjaft të fortë që në turin e parë eliminator të Europa Leagues, por fakti që gjithçka do të vendoset brenda 90 minutave, i bën durrsakët të shpresojnë.