Teuta ka lënë Durrësin për të udhëtuar drejt Korçës, aty ku do zhvillojë fazën përgatitore.Nën urdhrat e trajnerit Renato Arapi, “djemtë e detit” kanë zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Skënderbeu”. Korça është zgjedhur pikërisht për kushtet e mira, si edhe motin e freskët në këto ditë të nxehta që kanë “pushtuar” Shqipërinë.

Ekipi është duke punuar shumë fort, pasi kjo është një periudhë, ku ndoshta për futbollistët është më e vështira, pasi duhet të punojnë shumë fizikisht. Deri tani për fat të mirë çdo gjë po shkon mbarë dhe shpresohet që deri në ndeshjen e parë të kampionatit të jenë gati. Kjo pritet të jetë verë e nxehtë te Teuta.

Nga 25 lojtarë që ishin para fundit të sezonit, 10 janë përshëndetur me klubin.Largimet e sigurta deri më tani janë Ivanoviç, Aleksi, Plaku, Todorovski, Avdyli, Daja, Hyka, Akua, Daci dhe Peposhi. Shumë emra, me blutë, që do të ndryshojnë patjetër lëkurën e tyre dhe të përgatiten më fort se kurrë për sezonin e tyre të ardhshëm. Në kushte të tilla, blerjet nuk kanë si të mungojnë pasi duhen zëvendësuar ata që ikin.

Synimi është forcimi i ekipit në merkato, sepse largimet kanë ndikuar shumë.Tashmë që janë qartësuar mirë se cilët lojtarë do të qëndrojnë, pritet të nisin edhe lëvizjet.

Kështu që mendohet që nga java e ardhshme, do të qartësohet plotësisht edhe situata me ata që do të afrohen dhe që do të jenë pjesë e projektit të Arapit. Me çfarë filtron në Durrës ideja është ndërtimi i një ekipi pretendent. Gjithsesi, koha nuk premton shumë, pasi kundërshtarët e kanë ruajtur më shumë grupin dhe kanë bërë disa afrime në merkato.

Duke parë që tregu vendës është thuajse i konsumuar, pritet që durrsakët të përqendrohen në tregun e jashtëm. Parimisht, duhej që ekipi të ishte kolauduar dhe një pjesë e afrimeve të ishin në fazën përgatitore, në dispozicion të Arapit.

Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar në Korçë:

Portierë: Qirko, Dema, Salobehaj

Mbrojtës: Kotobelli, Qaqi, Jazxhi, Idrizaj, Elezi, Kurti, K.Hoxha

Mesfushorë: E.Vila, Gjinollari, Gecaj, Çejku, Tepshi, Treni, U.Hoxha, Muka, Halilaj

Sulmues: L.Vila, Hebaj, Oshafi, Kapllani, Gruda