Vllaznia në fije të perit, ndërsa Teuta hedh një hap të madh mbijetesë. Sfida e luajtur në “Niko Dovana” nderoi skuadrën e Gugash Maganit në atë që mund të konsiderohej edhe si dueli më i rëndësishëm i sezonit për të dyja skuadrat. 3 pikë falë një goli të artë të blerjes së Janarit, Gerhard Progni dhe oksigjen për Teutën që ngjitet në kuotën e 40 pikëve, ndërsa Vllaznia anemike në këtë ndeshje nuk tregoi pothuajse për asnjë moment dëshirë për të dalë me një fitore nga kjo transfertë dhe tashmë duhet të japë maksimumin nnë ndeshjen më të rëndësishme ndoshta të dekadave të fundit, atë ndaj Tiranës në “Loro Boriçi” vetëm një javë më pas. Një ndeshje pa shumë raste dhe e dominuar nga frika për të mos pësuar por me Teutën që rrezikoi vetëm në dy raste në pjesën e parë me Maganin dhe Prognin por me kalimin e minutave e rriti presionin dhe përfitoi nga dalja e Shtubinës me karton të kuq në të 51-ën, duke shfrytëzuar në maksimum superioritetin numërik.
Me një lojtar më pak shkodranët u dorëzuan pothuajse plotësisht duke lëshuar terren dhe në të 57-ën, Progni pikturoi një top në cepin më të largët të katërkëndëshit të Selimajt.Teuta pa frena pas këtij goli që zhbllokoi psikologjikisht djemtë e Maganit pasi në të 69-ën Çyrbja tentoi të mbyllte llogaritë por Selimaj i mohoi kënaqësinë e golit. Hebaj u hodh në fushë nga Cungu për t’i dhënë më shumë forcë sulmit por rastin e parë të artë Vllaznia e krijoi në të 78-ën pas një topi të hedhur në zonë por askush nga lojtarët shkodranë nuk arriti të devijonte në rrjetë. Cungu i dëshpëruar nga kjo mundësi e artë e shpërdoruar, ndërsa në krahun tjetër Teuta në krahun tjetër evitoi një moment drithërues. Minutat deri ën fund nuk sollën asnjë risi në rezultat. Vllaznia tashmë duhet të mendojë menjëherë për ta hedhur pas krahëve këtë sfidë, ndërsa Teuta përgatit një transfertë delikate në Laç ku edhe 1 pikë do të siguronte matematikisht qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.