Merkato është ende në kulmin e saj, ndërsa Teuta nuk ka plotësuar skuadrën për sezonin e ri. Nga porta e deri në sulm durrsakët duan përforcime, ku kanë nisur që të studiojnë tregun për të afruar më të mirët e mundshëm. Të qetë në punën e tyre, por presidenti Edmond Hasanbelliu dhe trajneri Bledi Shkëmbi kanë afruar futbollistë që kanë cilësi dhe që do të bëjnë diferencën këtë sezon në Superiore.
Ashtu pa bujë, durrsakët mbrëmjen e djeshme kanë afruar edhe mesfushorin e Shqipërisë U-21, Uendi Vecajn. Ky i fundit u shit për 20 mijë euro nga Vllaznia te Dinamo Zagreb një vit më parë, ndërsa këtë sezon do të huazohet tek Teuta në Durrës.
Vecaj u aktivizua në Ligën e Dytë kroate me ekipin e dytë të Dinamos së Zagrebit, teksa nuk arriti që të shpërfaqte aftësitë e tij më të mira. Tashmë ai rikthehet në Shqipëri, aty ku parashikohet se do të japë kontribut të vlefshëm. Veç shkodranit Vecaj, Teuta pret që të afrojë një tjetër portier, pasi për momentin po punohet vetëm me Isli Hidin.
Kastrati dhe Moçka janë të larguar, kështu që durrsakët po kërkojnë në tregun shqiptar për të gjetur një gardian të dytë. Gjithashtu, edhe në sulm kanë nisur kërkimet në mënyrë që “Djemtë e Detit” të nisin kampionatin të kompletuar.





