Dialogu me Serbinë do të përfundojë në mënyrë të suksesshme vetëm nëse Kosova të bëhet antare e Organizatës së Kombeve të Bashkaura. Ky është kushti i padiskutueshëm që presidenti kosovar Hashim Thaçi ka ripërsëritur përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter, tani që duket se qëndrimi i tij është përafruar me atë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për rishikimin e kufirit mes dy vendeve.
Hashim Thaçi: Fundi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë demarkacionin e kufirit 400 km mes dy vendeve, duhet të garantojë njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Opsionet e tjera për përfundimin e këtij dialogu janë të pakuptimta dhe interpretime false.
Propozimit të mbështetur edhe nga presidenti Thaçi për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën, i është bashkuar edhe kreu i komunës Shqiprim Arifi. Por duke folur për radio Dukagjinin, ai kërkoi që përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit të mos bëhet e pjesshme.
Shqiprim Arifi, kryetar i komunës se Preshevës: Ose shkojmë në tërësi në Republikën e Kosovës, ose mbesim në tërësi këndej ku jemi tani.
Por ai është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Shqiprim Arifi, kryetar i komunës se Preshevës: Ne duam një Kosovë që është e fuqishme, e cila veriun e ka pjesë përbërëse të saj, qoftë edhe nëse ne do të na duhet të mbetemi në Serbi.
Por përkundër opinionit të kreut aktual, ish-kryekomunari Ragmi Mustafa u shpreh javë më parë se Lugina duhet të integrohej me çdo kusht në Kosovë edhe nëse komunat serbe i kalonin Serbisë.