Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë të ditur se do të kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, në Samitin e Berlinit që pritet të mbahet ditën e nesërme.
Thaçi theksoi se temë e rëndësishme diksutimi me partnerët ndërkombëtarë do të jetë dialogu me Serbinë. Ai sqaroi se takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi tha se në këtë takim “theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare”.
Ai gjithashtu tha se e mirëpret rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor.
“Këto ditë kam vazhduar konsultat e fundit me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e nesërme në Berlin, të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. E mirëpres rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Kosovës në veçanti.
Në këtë takim do të vlerësohet progresi substancial i deritashëm. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë.
Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit.
Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës. Në këtë takim do të kërkoj edhe dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.
Ne do të fokusohemi edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të konfirmojmë edhe përkushtimin tonë për të vazhduar pa kompromis luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi”, ka shkruar Thaçi në Facebook./klankosova