Raportet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, janë acaruar kohëve të fundit si pasojë e qëndrimeve të kundërta rreth idesë për ndryshimin e kufijve që buron nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka vdekur dhe se është në një fazë të rëndësishme.
Thaçi në këtë mënyrë iu kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se “ideja për ndryshimin e kufijve ka vdekur”.
Duke e komentuar këtë deklaratë, Thaçi u shpreh se kryeministri “është në humor të mirë ose ndihet tepër komod në karrigen e vet”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën tha se qëndron prapa deklaratave të tij se opsioni i ndryshimit të kufijve është i vdekur.
Haradinaj tha se nuk pret që deklaratat e tilla të ndikojnë në rrëzimin e qeverisë që ai drejton.
“Kush e ka ndërmend ta rrëzojë qeverinë nuk flet, e rrëzon. Ata që flasin, mos u mërzitni për ta”, tha Haradinaj.
“Ai që ka vdekur nuk ngjallet më. Njëherë ka ndodh, është ngjallur Krishti, po çështja e korrigjimit të kufijve, e shkëmbimeve të territoreve ka vdekur”, tha Haradinaj.
Analisti dhe kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, në Prishtinë, Agron Bajrami tha se hendeku ndërmjet dy liderëve të vendit sa vjen e po thellohet.
“Dhe tani ky mospajtim vetëm sa thellohet deri në masën që deklaratat e ndërsjella vijnë deri edhe në kufij të fyerjeve dhe kjo nëse vazhdon në këtë trend, atëherë do të paralizojë raportet mes dy institucioneve, presidencës dhe qeverisë. Se sa mund të ndikojë kjo në stabilitetin e vet qeverisë, mbetet të shihet sepse as presidenti dhe as qeveria, por as opozita nuk e kanë një shumicë të mjaftueshme për të imponuar vullnetin dhe jemi në një lloj bllokade, kur bëhet fjalë për atë se si duhet ecur përpara në çështjen e dialogut me Serbinë”, tha Bajrami.
Ai tha se nga këto zhvillime dhe raporte mes dy liderëve është herët të thuhet se vendi mund të shkojë drejt një procesi të ri zgjedhor.
Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se deklaratat dhe kritikat e ndërsjella mes presidentit dhe kryeministrit do të kenë ndikim edhe më të madh në bllokimin e punës së institucioneve.
Ai thotë se presidenti Thaçi me këto veprime po mundohet të ketë ndikim në Qeverinë e Kosovës.
“Kjo po e konfirmon që presidenti po mundohet të ndikojë në punën dhe vendimet e qeverisë dhe kuvendit. Kjo është edhe si pasojë e asaj që vetë partitë të cilat janë në pushtet, vetë kryeministri Haradinaj, kanë zgjedhur që të mos i ushtrojnë kompetencat e veta në politikën e jashtme sa i takon dialogut, duke ia lënë këtë çështje në mirëbesim presidentit Thaçi. Tani këto janë pasojat e shkëmbimit kundërkushtetues, të cilët i kanë bërë këta dy udhëheqës të lartë shtetërorë të kompetencave kushtetuese”, tha Krasniqi.
Ai thotë se këto deklarime e veprime të politikanëve në Kosovës në masë të madhe do ta dobësojnë pozicionin e vendit në dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij, kritikat midis politikanëve përdoren edhe si një lloj taktike për të lëshuar pe nga një procesi i caktuar.
“Më shumë këtë e përdorin si një lloj taktike për të lëshuar pe në këtë proces, sidomos kryeministri Haradinaj të jetë ai që të lëvizë nga pozicioni që është duke e mbajtur”, tha Krasniqi.
Institucionet e Kosovës janë duke zhytur në një krizë të thellë institucionale, nga e cila vështirë se mund të dalin për një kohë të gjatë. Kështu thonë njohësit e zhvillimeve politike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Si rezultat i gjendjes faktike, pa një shumicë në Kuvend, së fundi partitë në pushtet dështuan ta formojnë ekipin negociator për dialog me Serbinë. Ndërkohë që opozita dështoi të miratonte rezolutën për t’i sanksionuar presidentit të Kosovës mundësinë që në dialog me Serbinë të hapë temën e ndryshimit të kufirit./REL