Dy ditë pas miratimit nga Kuvendi të demarkacionit për caktimin e kufirit me Malin e Zi, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar drejt Brukselit ku tha se Prishtina i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe se tani është radha e BE-së të përfundojë procedurat.
“Sapo përfundova takimin me Komisionerin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv”, tha Thaçi në një postim të Facebook të premten.
“Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.”
Thaçi tha se Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithëmbarshme. Ai tha se Komisioneri Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së.
“Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.”