PRISHTINE, 20 prill 2013 – Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Policia dhe gjyqësia në veri do të punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i vendit. Kështu tha kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë për media pas kthimit nga Brukseli.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të veriut që mos t’i frikësohen kësaj marrëveshje, ngase para së gjithash, ajo është në të mirën e vetë atyre. Kryeministri Hashim Thaçi tha se me marrëveshjen e arritur, Kosova dhe Serbia kanë hapur një kapitull të ri dhe janë përcaktuar për europianizimin e rajonit. Sipas kryeministrit Thaçi, me këtë marrëveshje ka fituar Kosova, Serbia, rajoni, Bashkimi Evropian dhe mbi të gjitha ka fituar opsioni i paqes dhe stabilitetit.
“Është një marrëveshje racionale, nuk është ideale, jam shumë i vetëdijshëm, por aty kemi negociuar me Serbinë pas një konflikti njëshekullor. Është marrëveshja e parë që nënshkruhet në nivele politike të tilla mes Kosovës dhe Serbisë, pra marrëveshje ndërshtetërore”, tha ai transmeton RTK.
Gjithsesi, sipas Thaçit, marrëveshja i hap rrugë shtrirjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.
“Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. Do ta shtrijmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Do të normalizojmë gjendjen në veri dhe do të çimentojmë të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri Thaçi, tha se marrëveshja hap perspektivë për qytetarët e veriut të vendit që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë, andaj i ftoi ata që mos të bien pre e atyre që për 14 vjet e kanë mbajtur peng gjendjen në veri.
Për të marrë mbështetjen edhe të Kuvendit të Kosovës, Thaçi tha se i ka dërguar kërkesë zyrtare Kryesisë së Parlamentit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të dielën në orën 20.00.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





