Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbështetur sulmin ajror të aleatëve që u zhvillua mëngjesin e së shtunës në Siri. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nisën sot raketat ndaj caqeve në Siri ku prodhoheshin armët kimike.
Thaçi ka thënë se “Republika e Kosovës mbështet fuqishëm vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për të sulmuar caqet ushtarake dhe për të dobësuar aftësinë e regjimit të Asadit për të kryer sërish sulme kimike ndaj popullatës civile”.
Presidenti ka thënë se sulmet kimike kundër popullatës civile janë veprime çnjerëzore, të cilat duhet të marrin fund.
“Ne jemi të bindur se vlerat perëndimore dhe civilizuese do të ngadhnjejnë përballë çdo regjimi. Kosova fuqishëm mbështet përpjekjet e shteteve perëndimore për t'i dhënë fund regjimit të Asadit dhe luftës në Siri”, ka shkruar presidenti.