Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot nga Budva porositi se Kosova do të formojë ushtrinë e saj dhe se Serbia nuk do të ketë të drejtë vetoje ndaj këtij vendimi. Ai shprehu pritjet se do të vendoset normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë.
Thaçi sot merr pjesë në Forumin 2BS, konferencë ndërkombëtare e cila merret me çështjet e sigurisë globale dhe transatlantike. Ai gazetarëve u tha se Kosova dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.
“Pres marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kjo neve do të na mundësojë të vendosim marrëdhënie evropiane, që do të vërtetojnë perspektivën evropiane të mbarë rajonit. BE-ja në Samitin në Sofje ishte shumë e qartë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për mbarë rajonin”, tha Thaçi.
Në pyetjen rreth formimit të ushtrisë së Kosovës, Thaçi porositi se Kosova do të ketë ushtrinë e saj në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Ajo do të jetë ushtri profesionale, sipas standardeve të NATO-s ndërsa që është shumë me rëndësi, një ushtri multietnike. Madje, edhe sot është multietnike. Dhjetë për qind e trupave janë nga pakicat, pesë për qind janë serbë kosovarë. Ne do ta bëjmë ushtrinë në koordinim me partnerët, por Serbia nuk do të ketë të drejtë vetoje mbi këtë vendim”, theksoi Thaçi./AA