Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur në Austri për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, për perspektiven evropiane dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka theksuar se mund të lëvizim përpara, të angazhohemi për kompromis dhe t’i ndihmojmë njerëzit në Kosovë dhe Serbi që të arrijnë normalizimin dhe pajtimin historik, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.
“Ose mund të mbërthehemi në status quo dhe t’i ftojmë forcat e ekstremizmit, nacionalizmit dhe rreziqeve të jashtme për të rrënuar të gjithë progresin që kemi arritur. Unë besoj dhe shumica e partive politike të Kosovës pajtohen, se ne tani duhet të lëvizim drejt zgjidhjes së përhershme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka përmendur edhe tri elemente jetike që dialogu të ketë sukses.
“Kemi nevojë për angazhim shumë të fokusuar dhe të fortë nga Brukseli për të arritur një marrëveshje juridike kornizë mes dy palëve. Nuk mjafton që Brukseli vetëm të sigurojë një sallë dhe disa restorante. Brukseli duhet të investojë për të arritur te vetë zgjidhja. Duhet të investojë burime, njerëz dhe kohë për mbylljen e këtij kapitulli. Besoj se zonja Mogherini do ta bëjë këtë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se procesi ka nevojë edhe që Uashingtoni të mbetet i angazhuar.
“Jam takuar me Wess Mitchell, zëvendëssekretarin e ri, si dhe kam takuar disa herë zëvendëspresidentin Mike Pence dhe ka një interesim të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Ballkanin. Javët e fundit gjithashtu kam pasur takime të mira edhe me presidentin Macron dhe kancelaren Merkel dhe ka një vullnet të fortë në Paris dhe Berlin për të na ndihmuar që ta arrijmë këtë marrëveshje”, ka thënë ai.
Sipas presidentit Thaci, kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjithashtu është përkrahës dhe e mirëpret këtë agjendë, si dhe është i gatshëm të ndihmojë dhe dinamizojë procesin gjatë kryesimin të Presidencës së BE-së nga Austria.
Kurse, si element të tretë, presidenti Thaçi ka përmendur që zgjidhja duhet të jetë e favorshme për të dyja palët.
“Ajo nuk mund të matet në kilometra të territorit, por në progres për integrimin e ardhshëm në BE. Ne duhet të ofrojmë siguri dhe mundësi maksimale për serbët e Kosovës, por gjithashtu një vend të barabartë për Kosovën në familjen e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti ka theksuar se Kosova është e gatshme për dialog dhe është e gatshme edhe për kompromis, për marrëveshje dhe për marrëdhënie evropiane me Serbinë.