“BE duhet të ndryshojë përndryshe kjo rrugë do të çojë domosdoshmërisht, ky izolim i Kosovës, në një angazhim të dy parlamenteve, dy qeverive për një shtet të përbashkët”.
Kjo është deklarata që bëri të enjten Presidenti Hashim Thaçi në lidhje me idenë për bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo sipas Presidentit vjen si rezultat i vonesave, diskriminimit dhe izolimit që i është bërë Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së. Deklaratat, kreu i shtetit të Kosovës i bëri gjatë emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku ishte përballë një paneli me gazetarë kosovarë dhe shqiptarë, falë një bashkëpunimi me ABC News.
“Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkangjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Republikën e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Edhe në takimin e Berlinit nuk është mbyllur ndonjë ide dhe nuk është paraqitur ndonjë ide nga ndërkombëtarët. Pas vonesave dhe diskriminimit që është duke i bërë BE apo shtetet anëtare të BE-së Kosovës, mendoj që ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe institucionalë për një angazhim të të gjithëve, edhe institucioneve dhe qytetarëve, që nëse BE vazhdon me këtë izolim dhe mbyllje të derës për Kosovën, për mos respektim të arritjeve që kemi pasur deri tani, atëherë realisht duhet të shkojmë deri në një formulë të bashkimit kombëtar, qoftë edhe nëpërmjet një rezolute të Kuvendit të dy vendeve tona, apo dhe përmes referendumit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjithmonë duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin”.
“Unë i besoj shtetit të Kosovës, kam investuar gjithë jetën time. Jam vetëshpallësi i pavarësisë së Kosovës, i nxjerrjes së deklaratës së pavarësisë dhe kam arsye të fuqishme dhe personale dhe historike dhe të legacisë, por edhe të realitetit që t’i besoj shtetit të Kosovës. Jam më optimist se të tjerët sa i përket të ardhmes së Kosovës. Unë dua që Kosova dhe Shqipëria të jenë si dy vende në NATO dhe në BE, por me dy vota në OKB, por kjo vonesë e BE-së, ky izolim, ky diskriminim dhe ky poshtërim që i bëhet Kosovës, por edhe shqiptarëve, çon në vendimin që definitivisht nëse nuk na duan me dy flamuj, atëherë le të jemi me një flamur edhe në NATO, edhe në BE, edhe në OKB”.
“Nuk është presion, nuk është kërcënim, por është një qasje reale dhe do ta shtyj përpara që ta diskutoj me të tjerë. Është mirë që të gjithë të reflektojnë në kuptimin pozitiv. BE duhet të ndryshojë, përndryshe kjo rrugë do të çojë domosdoshmërisht, ky izolim i Kosovës, në një angazhim të dy parlamenteve, dy qeverive për një shtet të përbashkët”, tha Presidenti Hashim Thaçi.
Ndërkohë pyetjes së gazetares Mirela Milori, nëse kjo ide është diskutuar edhe nga Tirana, Hashim Thaçi tha se, “zyrtarisht ende nuk është trajtuar kjo çështje, por kjo nuk do thotë që nuk do të trajtohet në të ardhmen shumë të afërt, por jo gjatë periudhës elektorale në Shqipëri”./abcnews.al