Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Në një intervistë për mediat kosovare, Thaçi është shprehur se nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryeministër i Kosovës.

“Një gjë është e sigurt, se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Ekzekutivit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e ka mohuar mundësinë që Kadri Veseli të jetë kandidati i mundshëm i PDK-së për kryeministër të vendit.

“Veseli dhe një pjesë e madhe e lidershipit të PDK-së kanë kapacitete të fuqishme për udhëheqje, ekzekutive, presidenciale dhe legjislative. Përfshirja e  Veseli në PDK paraqet energji dhe kreativitet organizativ dhe ideor për realizimin e qëllimit dhe vizionit evropian për PDK-në, Kosovën evropiane”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi, ka theksuar se beson se AAK-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie. “Unë besoj se po. Ekziston vullnet i dyanshëm për partneritet qeverisës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se beson që AAK-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie, pasi për këtë ekziston vullnet i dyanshëm për partneritet qeverisës.

Duke folur për ofertën e Haradinajt, ai ka thënë se askush, askujt nuk mund t’i bëjë kushtëzime, kurse koalicionet janë vullnete të partive politike.

“Ne jemi takuar me Haradinaj dhe kemi biseduar. Është shprehur vullnet të punojmë bashkërisht dhe kemi marrë përgjegjësi për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, për  të cilën është ngarkuar edhe Shala si koordinator politik nga presidentja e Republikës së Kosovës. Kemi diskutuar dhe jemi dakorduar me  Hardinajn të bashkëpunojmë për të ardhmen evropiane dhe reformat zgjedhore, ndërsa sa i përket koalicionit nuk kemi biseduar, përveç se është treguar vullnet për një partneritet strategjik  mes PDK-së dhe AAK-së. Ne tani jemi në prag të organizmit të Kuvendit Zgjedhor të PDK-së, i cili do të mbahet më 26 janar të vitit të ardhshëm. Pas këtij kuvendi organet e partisë do të marrin vendimet përkatëse. Partia e cila udhëheq vendin e prezanton ofertën për të tjerët, për t’iu bashkangjitur Qeverisë, e jo të tjerët për të”, ka thënë Thaçi.