Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se në aktakuzën për Thaçin janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

I pyetur nëse i kuptonte akuzat ndaj tij Thaçi u përgjigj shkurt dhe prerë: 

“I kuptova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha akuzat. I nderuari gjykatës akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm krejtësisht.”

Gjyqtari: Seanca e sotme nuk eshtë gjykim, nuk do paraqitet prova dhe nuk do merren prova per fajësinë apo pafajësinë tuaj. A e konfirmoni se e keni marrë akt akuzën në gjuhën që e flisni dhe e kuptoni?

ThaçiPo

Gjyqtari: Ju akuzoheni për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, krim lufte, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor si krim lufte, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme si krim lufte dhe zhdukje me forcë e personave.

Këto krime u kryen në vitet 98-99, në disa vende, Llapushnik, Drenas, Ferizaj, Gjilan, Jabllanicë, Skënderaj, Malishevë, Klinë, Novobërdë, Prizren dhe Viti, në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore.

Përveç Thaçit, Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.