PRISHTINE, 12 mars 2013– Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili pas takimit të martën në mbrëmje me shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Catherine Ashton tha se Prishtina ka lëshuar pe dhe është pajtuar që të ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën.
Beogradi ka kërkuar autonomi me autoritet legjislativ dhe ekzekutiv për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por kjo kërkesë vazhdon të refuzohet nga Prishtina, e cila pajtohet që komunat serbe të kenë asociacionin e tyre, por jo të kenë kompetenca legjislative dhe ekzekutive.
“Dëshiroj të sqaroj para jush se deklarata e mbrëmshme e Nikoliçit përveç që tregon papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, një gënjeshtër e kulluar. Ju e dini që ata humbjet gjithmonë i shpallin si fitore”, tha kryeministri Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se “asociacioni i komunave serbe për të cilin pajtohet Prishtina është plotësisht në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”- është shprehur Thaçi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për takimet në Bruksel.
Propozimi i Prishtinës zyrtare për formimin e asociacionit të komunave serbe ashtu siç i parasheh edhe pakoja e Marti Ahtisarit, sipas kryeministrit të Kosovës, përkrahet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-së. Ndërkaq, të enjten në Prishtinë do të qëndrojë shefja e diplomacisë evropiane, Catherien Ashton, e cila është ndërmjetësuese e drejtpërdrejt e dialogut Prishtinë-Beograd.