24 dhjetor 2013- Kryeministri Hashim Thaçi thotë se është ndier shumë mirë kur ka mesuar se është nominuar për çmimin “Nobel” për Paqe nga Kongresmenët Amerikan.Por ai pohon se ky çmim nuk i takon veç atij, por mësuesve, mjekëve dhe krejt qytetarëve të Kosovës të cilët i quan heronj te heshtur 

Deklarata e Thaçitne  Facebook

Të dashur miq,

Qytetarë të vendit tim,

Dje mora lajmin për nominimin për Çmimin Nobel për Paqe nga Kongresi Amerikan. Sigurisht që u ndjeva i nderuar. Dua t’ju flas nga zemra: pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër, e meritoni Ju, qytetarë të Kosovës.E meritojnë mësuesit që me vetëmohim hapen shkollat e para, e na mësuan gjuhën dhe historinë tonë. Profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, që çdo ditë ecnin në teh të rrezikut, që krahas dijes na edukuan me atdhedashuri e dinjitet.E meritojnë mjekët, që na shëruan plagët, ushtarët që në altarin e atdheut dhanë jetën për liri duke u bërë dëshmorë të përjetshem, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve – heronjtë e lirisë së Kosovës, që janë themeli i shtetit tonë të ri.

Ju qytetarë të Kosovës jeni heronjtë e vërtetë të heshtur, heronjtë e Nobelit të lirisë së Kosovës dhe paqes në Europë.

Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim.

Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik. Besimi i juaj në këtë rrugëtim është vlerësimi më i lartë për mua. Të tjerat kanë më pak rëndësi.

Prandaj nominimi për Nobel ju takon juve qytetarë të Kosovës.