PRISHTINE – Me vetëm një votë kundër, delegatët e Konventës së Partisë Demokratike të Kosovës kanë rizgjedhur Hashim Thaçin kryetar të këtij subjekti politik.
Para se të votohej, Thaçi ka kërkuar nga delegatët që votimi për Kryetar të bëhet me votë të fshehtë, e jo me aklamacion. Ky propozim është hedhur në votim, dhe përveç Thaçit, të gjithë delegatët kanë votuar që votimi të jetë i hapur. Dhe kështu ka ndodhur, transmeton Telegrafi.
Vetëm një delegat ka votuar kundër Thaçit, të gjithë kanë votuar pro kandidaturës së tij.
Aktualisht, kryetari i sapozgjedhur i partisë më të madhe në vend po mban një fjalim para të pranishmëve.

Konventa e  PDK-së, edhe sot pa Krasniqin

Prishtinë, 27 janar – Ka nisur me dy orë vonesë Konventa e VI-të e PDK-së. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar një ditë më parë, në punimet e kësaj konvente zgjedhore nuk po marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i  partisë, Jakup Krasniqi si dhe një nga themeluesit e kësaj partie Hydajet Hyseni.
Hapjen e punimeve e ka bërë Basri Musmurati, derisa më pas është zgjedhur Kryesia e Punës.
Për këtë detyrë janë zgjedhur Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu, Arsim Bajrami, Drita Kadriu dhe Ramë Buja.
Në agjendën e Kongresin tash janë miratimi i ndryshimeve statutare, derisa në mesditë pritet të zgjidhet Kryetari i partisë dhe më pas do të votohet për Këshillin Drejtues, transmeton Telegrafi.
Deri më tash Hashim Thaçi është kandidati i vetëm për postin e të parit të PDK-së.
Ndërkohë, Kryesia e punës ka hapur diskutimin për delegatët e PDK-së.
Rexhep Hoti ka kërkuar që  Jakup Krasniqi  të jetë i pranishëm në strukturat udhëheqëse të partisë, pavarësisht se refuzoi të jetë pjesë e Kongresit Zgjedhor.
“Nëse nuk përfshihen gjithë figurat kyçe të PDK-së, nuk kemi bërë asgjë”, tha Hoti,citon Express, i cili në mandatin e kaluar ishte deputet i PDK-së për një kohë të shkurtër.

Veseli ndërmjetës për ta sjell Krasniqin në Kongresin e PDK-së

Prishtinë, 27 janar – Konventa e VI-të e Partisë Demokratike të Kosovës ka filluar ditën e djeshme me pjesën solemne dhe do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së sotme. Dje në Konventën e PDK-së  në të nuk kanë marrë pjesë disa nga figurat themeluese të kësaj partie. Përveç Fatmir Limajt dhe Hydajet Hysenit, në Kuvend nuk ishte i pranishëm as Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi.
RTK raporton, se PDK është e interesuar që Krasniqi të jetë pjesë e procesit dhe për këtë arsye ditën e sotme është caktuar një takim mes Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit, transmeton indeksonline.
Sipas RTK-së Veseli do të mundohet të bindë Krasniqin, që sot të jetë pjesë e kësaj konvente, në të cilën do të zgjidhen organet e reja drejtuese dhe kryetari i partisë.
Krasniqi nëpërmjet një letre ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e këtij Kuvendi ndërkohë që shumë herë ka thënë se Veseli edhe pse është anëtarësuar vonë në këtë parti zyrtarisht, ai edhe më parë ka qenë pjesë e vendimeve të kësaj partie.

Kongresi i PDK-së pa Krasniqin, Limajn e  Hysenin

Prishtinë, 26 janar – Ka nis solemnisht punimet në Prishtinë   Kongresi i Përgjithshëm i PDK-së, në të cilin nuk do të marrin pjesë disa nga figurat kryesore të partisë. Përveç nënkryetarit të parë, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në burg, mospjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi. Në kongres nuk do të marrë pjesë as Hydajet Hyseni derisa edhe anëtarë të tjerë të kryesisë kanë dilema nëse do të marrin pjesë. Analistët kanë deklaruar disa herë se ky  kongres mund të çojë deri tek çarja e madhe e partisë më të madhe në vend, transmeton KTV. Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.Kongresin e shpalli të hapur  nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, siç tha ai, miqtë nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi…
Në emër të LDK-së dhe të Isa Mustafës, Konventën Zgjedhore të PDK-së e ka përshëndetur Teuta Sahatçia, Gerti Bogdani ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të kryetarit të saj, Sali Berisha.

Ali Ahmeti ka përshëndetur në emër të BDI-së, Ilir Meta ka uruar në emër të LSI-së, Ragmi Mustafa ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kanë përshëndetur edhe përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi, të Partisë Republikane të Shqipërisë etj., të AAK-së. Ka përshëndetur Konventën edhe lideri i socialistëve shqiptarë, Edi Rama, i cili u prit me ovacione nga pjesëmarrësit në Konventë.
Pas përshëndetjeve fjalën e mori kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Lideri i PDK-së u shfaq në foltore pas një filmi të shkurtë të prezantuar në këtë Konventë, ku në përgjithësi pasqyroheshin të arriturat e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së, e në të cilin film shfaqej kryesisht kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.
Në fjalimin e tij, Thaçi tha se ”vite më parë qytetarët, shumë prej nesh të pranishëm këtu dhe shumë prej atyre të cilët nuk janë në mesin tonë, kishim një ëndërr, të jemi kështu të bashkuar”.
Mes tjerash, ai shtoi se shteti i Kosovës dhe ai do të jenë gjithmonë gardian të të drejtave të shqiptarëve, kudo që janë.
Ai ka deklaruar se bashkimin e kombit e kanë vulosur dëshmorët, ndërsa bashkimi do të ndodhë në BE.
 Kreu i PDK-së tha se gjithmonë e kanë pasur guximin për të qenë të bashkuar, për të luftuar dhe për të fituar, e kjo u bë nga lufta e UÇK-së, dhe kontribut i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
“Kemi arritur që nga pushtimi i huaj, në shtet demokratik. Nëse nuk kemi mundur për t’i zgjidhur të gjitha problemet, kemi bërë shumë punë”.
Thaçi ka deklaruar se kanë bërë zgjedhje të drejta, në kohë të vështira.

“Shteti është i njohur nga rreth 100 shtete, dhe është anëtar i Bankës Botërore dhe FMN. Kemi një prej infrastrukturën më moderne në rajon, siç është autostrada për Shqipëri dhe për Maqedoni dhe drejt Serbisë”, tha ai.  
Lideri i PDK-së ka deklaruar se rritja e pagave i ka bërë prej më të mirave në rajon, janë ndërtuar shkolla e spitale, pa shkaktuar ndonjë borxh kombëtar, por nga qeverisja e mirë.

Thaçi ka thënë se gjatë kohës në PDK janë penguar padrejtësisht  të punojnë shumë bashkëpartiakë, sikur ka ndodhur me Fatmir Limajn.

Rreth kërkesave për shtyrjen e Kongresit, për shkak të mungesës së Limajt, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci kishte thënë  se shtyrje të Kongresit nuk ka mundur të ketë për shkak se vendimi ka qenë për 26 janar dhe ai duhet të respektohet, ndërkohë ka shprehur keqardhje për mungesën e Limajt, për të cilin ka thënë se gjithsesi është në mesin e PDK-së. Grabovci e vlerëson lart procesin zgjedhor në PDK.
“Përjashto ndonjë lëshim të vogël që absolutisht nuk ndikon fare, këtë proces e ka përcjellur një frymë e mirëfilltë demokratike, kemi pasur zgjedhje vërtetë demokratike, është bërë përpjekje që të respektohet vullneti i gjithë anëtarëve të PDK-së. U është lejuar hapësirë e mjaftueshme për të shprehur vullnetin e vet”, tha Grabovci.

Por, njësoj nuk mendon Albert Krasniqi nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave.

“Kuvendi i fundit kur të përmbyllet dhe gara për kryetar është ajo që mund të shihet pjesa me e madhe e vlerësimit për garën e PDK-së, por deri tash kemi parë shumë raste kur kryetarët e degëve janë zgjedhur pa kundërkandidat, me aklamacione, kur mediat dhe vëzhguesit janë nxjerrë nga sallat e votimeve ku janë mbajtur, kështu që lenë shumë hapësirë për një demokraci shumë të ulët që kemi aktualisht në PDK”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Në Kongresin e PDK-së pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në vend.

Pjesë e kongresit do të jetë raporti i punës, raporti i institucioneve të vendit dhe raporti financiar. Do të ketë, po ashtu, propozime për ndryshime në statut dhe në program, për të cilat duhet të vendos kongresi.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit.

Me përfundimin e fjalimit të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, u përmbyll edhe dita e parë e Konventës së VI të PDK-së. Konventa vazhdon nesër me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe strukturave tjera të saj.