Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për herë të parë mbi takimin me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në nëntor të vitit të kaluar në Paris. Në një intervistë që gazetarit Ilir Babaramo në Report TV, Thaçi tha se kreu i Kremlinit i ka premtuar se do ta aprovojë çdo marrëveshje që do të arrijë Prishtina dhe Beogradi.
“Unë nuk jam entuziast nëse do ta mbajë fjalën apo jo, edhe një deklarim, të paktën verbal, por edhe nga takimi që unë kam pasur me Presidentin e Rusisë Putin, për herë të parë në Paris, ata deklarojnë se janë të gatshëm të njohin një marrëveshje, të mirëkuptojnë një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nënkupton largimin e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit” – tha Thaçi që më pas ka treguar se takimi nuk pati ndërmjetësues, por ndodhi aty për aty.
“Ky takim nuk është ndërmjetësuar nga askush, ka ndodhur aty për aty, në një bashkëbisedim të këshilltarëve të mi me ata të Presidentit Putin. Në sallën ku është zhvilluar ky takim i shkurtër 5-7 minuta kanë qenë shumë pranë edhe Presidenti Tramp, edhe Presidenti Makron, edhe Kancelarja Merkel.
Ka qenë një vullnet i përbashkët i imi si President i shtetit të Kosovës për të diskutuar shumë hapur me Presidentin e Rusisë. Mendoj se takimi që ka ndodhur është mirë për Kosovën sepse për herë të parë, një President i Rusisë ka pranuar të diskutojë hapur, në mënyrë transparente dhe botërisht të njohur me presidentin e një shteti që ende ata nuk e njohin dhe që janë bllokada jonë kryesore në Këshillin e Sigurimit dhe për njohjen globale për Kosovën.
Unë thashë që nuk jam entuziast, por biseda ka qenë korrekte. Pyetjet që i kam parashtruar Presidentit Putin kanë qenë shumë të qarta, por dhe përgjigjet kanë qenë të qarta. E kam pyetur shumë hapur që nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje përfundimtare midis tyre me njohje reciproke, si do të veprojë Rusia dhe ai tha që do ta pranojmë. Po pastaj, – e pyeta, – në çështjen në Këshillin e Sigurimit, si do të veprojë Rusia? Ne nuk mund ta zgjidhim as pse nuk është Serbia, – u përgjigj ai. Mendoj që janë gjëra të cilat, më herët na kanë munguar që t’i dëgjojmë nga Rusia zyrtare. Nëse do ta mbajnë fjalën apo jo, është çështje krejt tjetër” – tha Thaçi.