28gusht 2015 – Thahen për ujë në mes të vapës pushuesit e banorët e zonës së plazhit, nga Plepat deri në Golem. Ditët e fundit të gushtit, të cilat përkojnë edhe me fundin e sezonit veror, janë shoqëruar me ndërprerjen e plotë të furnizimit me ujë. Një defekt në sistemin e ujësjellësit që çon ujin nga rezervuari i Manskurisë deri në bregdet ka lënë prej 5 ditësh në thatësirë të gjithë zonën, duke përfshirë Plepat, Shkëmbin e Kavajës, Përroin e Agait, Golemin e deri në afërsi të Qerretit. Pushues kanë shprehur shqetësimin për këtë situatë.
Ndërkohë që banorët që jetojnë aty thonë se që nga fillimi i verës kanë marrë me ndërprerje ujë, por këto ditë shënohet kulmi, pasi asnjë moment nuk kanë parë ujë në çesmat e tyre. Burime të ujësjellësit të Kavajës thonë se po punojnë për riparimin e defektit, por ende nuk ka një afat për përfundimin e punës dhe rikthimin e ujit. Për ironi, temperaturat e këtyre ditëve janë rritur me disa gradë, në krahasim me javën e shkuar, çka mendohet se është bërë shkak për defektin, si pasojë e mbingarkesës në rrjet.
Varësia, nga Durrësi apo Kavaja?
(Rezervuari i Manskurise)
Si të mos mjaftonte problemi, shqetësim më vete është se konsumatorët nuk dinë ku të drejtohen. Ata i paguajnë faturat në Bashkinë e Durrësit, ndërsa si ujësjellës varen nga Kavaja. Edhe pse me ndarjen e re territoriale deri matanë Përroit të Agait zona i përket Bashkisë së Durrësit, konsumatorët nuk furnizohen nga Fushë-Kuqja, por nga rezervuari i Manskurisë. Ky i fundit, me ligj është në varësi të Bashkisë Kavajë, duke krijuar një kaos të vërtetë, pasi banorët nuk dinë ku të ankohen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/