Një sasi e madhe eurosh është sekuestruar pasditen e së shtunës nga policia në portin e Durrësit. Rreth 1.8 milionë euro janë gjetur të fshehura në një kamion që sapo kishte hyrë në port nga vendi fqinj, Itali.

Valuta e huaj ishte fshehur në disa thasë në kamionin me targa TR 2046 U dhe deri në këto momente është ndaluar vetëm drejtuesi i tij.

Kamioni ku u gjet sasia e madhe e eurove transportonte nga Italia në Shqipëri materiale dhe lëndë të parë për fasoneritë që shërbejnë për prodhimin e këpucëve.

Ende nuk ka detaje për këtë operacion nga policia, ndërkohë që vijojnë hetimet për gjetjen e pritësve të këtyre eurove dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.