Zbardhet emri i porositësit të dy mjeteve 'Tojota Yaris', në të cilat u gjetën dhe sekustruan një ditë më parë 3 milionë e 470 mijë euro.

Edhe pse nuk është zyrtare, sipas dokumenteve doganore që “Report Tv” ka siguruar, thuhet se Alban Mollaymeri rezulton si porositësi në Tiranë i 7 makinave, në dy prej të cilave u gjetën edhe eurot.

Ndryshe nga sa u pretendua dje se makinat ishin porositur nga një biznesmen kosovar, rezulton se ato janë të porositura nga Alban Mollaymeri, pronari i një servisi makinash modest në zonën e bregut të lumit në Tiranë.

Gjithashtu, mësohet se origjina e makinave ka qenë Gjermania dhe jo Belgjika. Rezulton se makinat janë blerë në Gjermani në një koncesionar që administrohet nga një shtetas shqiptar. Nga dokumentet siguruar nga gazetarët, rezulton një biznes me një xhiro vjetore 100 mijë euro.

Sipas dokumenteve të siguruara ekskluzivisht nga Report TV, mjetet janë shitur nga koncesionari DOCI GMBH, në Gjermani në pronësi të Ilir Doçit. Nga këto dokumente rezulton se porositës është Alban Mollaymeri, një pronar servisi dhe për t’i transportuar ka kontaktuar Edi Likën, i cili gjithashtu ka një servis makinash dhe një kompani transporti. Ndërkaq, dy makinat e tjera, një Opel dhe një Alfa Romeo qe ishin mbi kamion bisark bashkë me 7 Toyotat, janë porositur prapë në koncensionarin Doçi, por nga dy individë të tjerë që nuk dyshohet të kenë lidhje me trafikun e parave, me orgjinë nga trafiku i drogës.

Alban Mollaymeri, që rezulton porositësi i makinave të ngarkuara me para, sipas dokumenteve të siguruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hapur një licencë rishtazi, e cila mban datën 10.10.2017, por pa dhënë detaje apo specifikuar nëse kompani ka si objekt aktiviteti edhe importimin e makinave. Por edhe pse Alban Mollaymeri rezulton pritësi i makinave, sërish ngrihen dyshime nëse është ai destinacioni final i 3.4 milionë eurove apo persona të tjera fshihen pas tyre.

Nërkohë mësohet se sot ka përfunduar edhe numërimi i plotë i sasisë së eurove që ndodheshin në dy makina dhe sipas hetuesve bëhet fjalë për 3. 4 milionë. Shuma e eurove ishte fshehur në dy nga nëntë makinat ‘Toyota Auris’, të nisura nga Gjermania, ndërsa kaluan tranzit nga Italia dhe dje nga Bari arritën në Durrës me traget.

Veprimet e para për këtë dosje hetimore janë kryer nga prokurori pranë Prokurorisë së Durrësit, Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i zgjedhur nga radhët e PD, por më pas është vendosur transferimi i dosjes. Sot mësohet se çështja ka kaluar në duart e Ornela Rrumbullaku, e cila është përgjegjëse e strukturës së Task Forcës pranë Prokurorisë për krimet të rendë në Tiranë.

Marrë nga “Shqiptarja.com