Pas lajmeve që kanë qarkulluar se ajo po jepte dorëheqjen, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, u ka thënë kolegëve se mbetet e përqendruar në detyrën e saj dhe se do t’i njoftonte ata e para nëse do të vendoste të dorëhiqej, një mesazh që ata e interpretuan si shenjë se ajo nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Të paktën kështu shkruan Reuters këtë të enjte.
Financial Times raportoi të mërkurën se Lagarde planifikonte të largohej nga posti i saj para kohe, përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, një votim që mund të fitohet nga e djathta euroskeptike.
Një dorëheqje e hershme e Lagarde, që do t’i jepte presidentit francez Emmanuel Macron mundësinë të zgjidhte kreun e ri të BQE-së, do të ringjallte debatin mbi pavarësinë e bankës qendrore nga politika, një parim që është vënë nën kërcënim në SHBA nga sulmet e presidentit Donald Trump ndaj Rezervës Federale.
Lagarde u dërgoi një mesazh privat kolegëve të saj të mërkurën për t’i siguruar se ajo është ende e përqendruar në drejtimin e institucionit më të rëndësishëm financiar të Evropës dhe se, nëse do të donte të largohej, ata do ta merrnin vesh prej saj dhe jo nga shtypi, thanë burimet për Reuters.
Marrësit e mesazhit thanë se kjo tregonte që Lagarde nuk dëshironte të largohej menjëherë nga BQE, por nuk e mbylli plotësisht derën për një hap të tillë.
Një zëdhënës i BQE-së refuzoi të komentojë.
Disa politikëbërës u shprehën të habitur që spekulimet për të ardhmen e Lagarde dolën kaq herët, me më shumë se një vit para zgjedhjeve franceze të pranverës së vitit 2027 dhe para fundit të mandatit të saj në tetor të vitit të ardhshëm.
Anëtari i bordit të BQE-së, Piero Cipollone, tha të enjten se nuk ka asgjë që të sugjerojë se Lagarde është gati të largohet, duke theksuar punën e saj në projekte afatgjata si Bashkimi i Kursimeve dhe Investimeve të BE-së dhe linjat e reja të likuiditetit.
“Fare nuk duket si sjellja e dikujt që po bën gati valixhet,” tha ai në një seancë dëgjimore në Parlamentin italian.
Ndërkohë, nënkryetari i BQE-së, Luis de Guindos, mandati i të cilit përfundon pas tre muajsh, tha se Lagarde është plotësisht e përqendruar në punën e saj dhe do të mbetet një “presidente madhështore për aq kohë sa është aty”.
Pavarësia e bankës qendrore
Guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, njoftoi javën e kaluar se do të japë dorëheqjen, duke i dhënë Macron mundësinë të zgjedhë kreun e ri të bankës qendrore franceze.
Duke folur privatisht, politikëbërësit e BQE-së thanë se lëvizja e Villeroy dhe mesazhi i Lagarde tregonin një dëshirë franceze për të siguruar që bankierë qendrorë kompetentë e të pavarur të zgjidheshin, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet franceze.
E djathta ekstreme Rassemblement National (RN) e ka dënuar këtë si antidemokratike.
Presidenti francez zgjedh guvernatorin e bankës qendrore të vendit dhe, si kreu i ekonomisë së dytë më të madhe të eurozonës, luan një rol të rëndësishëm në negociatat më të gjera për zgjedhjen e kreut të BQE-së.
Sondazhet tregojnë se ose liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen ose pasuesi i saj Jordan Bardella mund të fitojnë presidencën franceze.
Edhe pse RN ka hequr dorë prej kohësh nga thirrja për daljen e Francës nga euroja, partia shihet ende si një faktor i panjohur në qarqet e bankës qendrore.
Megjithatë, disa burime thanë se një vendim i Lagarde për të dhënë dorëheqjen para kohe, për t’i mohuar pasuesit të Macron-it të drejtën për të zgjedhur kreun e BQE-së, do të ngrinte vetë pyetje mbi pavarësinë e saj nga politika.
Ekonomistët e sektorit privat ndajnë të njëjtin shqetësim. UniCredit tha se udhëheqësit e BE-së dhe BQE-ja duhet të veprojnë “me shumë kujdes, në mënyrë që të mos rrezikohet perceptimi i pavarësisë së bankës qendrore”.





