Sipas një analize të revistës britanike The Economist, presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon një fushatë të ashtuquajtur “zonë gri” kundër NATO-s, një luftë hibride e kujdesshëm e planifikuar, që shmang përballjet e drejtpërdrejta, por ka objektiv të qartë: destabilizimin e Europës.
Aktet e fundit të regjistruara përfshijnë: hyrje të dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, shkelje të hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë, sulme ndaj aeroporteve europiane me UAV, sabotime të dyshuara në kabllo nënujore të telekomunikacionit në Detin Baltik dhe përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet në disa vende të BE-së me fushata dezinformimi.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e përshkroi situatën qartë:
“Nuk jemi në luftë, por as në paqe.”
Tre objektivat e Putinit, sipas Economist:
Dobësimi i unitetit të NATO-s
Putin synon të krijojë mosbesim mes vendeve anëtare të NATO-s dhe të zbehë angazhimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive (neni 5), duke e larguar nga aleatët europianë.
Rritja e presionit mbi Ukrainën dhe mbështetësit e saj
Pas dështimit të ofensivës së fundit në Ukrainë, Rusia po përpiqet të rrisë kostot për vendet që ndihmojnë Kievin. Shtete si Polonia, Estonia dhe Danimarka janë goditur nga sulme me dronë, ndërsa Gjermania ka përjetuar sulme kibernetike ndaj industrisë së mbrojtjes. Edhe në Moldavi dhe Rumani janë regjistruar tentativa për ndërhyrje në zgjedhje.
Mesazhi i Putinit për këto vende është i qartë:
“Mos i dërgoni armë Ukrainës, përqendrohuni në mbrojtjen tuaj.”
Një luftë ideologjike kundër Perëndimit
Putin urren demokracitë liberale. Sipas Economist, përparimi, pasuria dhe stabiliteti i vendeve perëndimore nxjerr në pah dështimet dhe autoritarizmin e regjimit rus.
Sa më shumë destabilizon Perëndimin, aq më i fortë duket Putin. Përfitues janë populistët nacionalistë që ndajnë dyshimet e tij ndaj një Europe të bashkuar.
Çfarë duhet të bëjnë NATO dhe BE?
Sipas Economist, Perëndimi duhet:
Të ekspozojë çdo provokim rus – sabotime, sulme kibernetike apo ndërhyrje në zgjedhje duhet të publikohen menjëherë me fakte, për të ndaluar Rusinë të mohojë përfshirjen.
Të forcojë mbrojtjen kundër sulmeve hibride – përmes:
Njësive të reagimit të shpejtë ndaj sulmeve kibernetike,
Strukturave të mbrojtjes së zgjedhjeve,
Reparteve për riparimin e kabllove dhe tubacioneve nënujore,
Sistemeve më të lira për zbulimin dhe rrëzimin e dronëve rusë, që po prodhohen me mijëra.
Të vendosë sanksione konkrete – ndaj kompanive që furnizojnë Rusinë me pajisje për operacione hibride, të përdorë asetet ruse të ngrira për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës dhe, në raste kërcënimesh reale, të ndërmarrë edhe veprime ushtarake, përfshirë rrëzimin e avionëve që përbëjnë rrezik.
Economist paralajmëron se mospërgjigjja e Perëndimit mund të çojë në përshkallëzim të rrezikshëm. Një skenar shqetësues është marrja nga Rusia e një territori rreth qytetit Narva në Estoni – një zonë e populluar nga rusofonë, që Moska pretendon se po i “mbrojt”.
Në fund, analiza thekson edhe pasigurinë që krijon qasja e luhatshme e presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s, të cilën Putin mund ta shfrytëzojë për të testuar vendosmërinë e aleancës perëndimore.





