DURRËS, 25 TETOR 2014–  Pas vendimit të Komisionit të Disiplinës kur palët janë kthyer në llogoret e tyre për të planifikuar hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin, vijnë edhe komentet e para analitike nga mediat ndërkombëtare, të cilat hedhin dritë pas një vendimi deri diku absurd. Prestigjozja britanike “The Guardian” publikon shkrimin e redaktorit përgjegjës të seksionit sportiv, Oëen Gibson, i cili ndalet gjatë në absurdin e këtij vendimi që tronditi Shqipërinë pas asaj nate tragjike në Beograd. Pasi sqaron në rend kronologjik ngjarjen deri në vendimin e UEFA-s, Gibson thekson se ky duket një vendim i ashpër për shqiptarët të cilët e nisën fushatën eliminatore me një fitore të pabesueshme në Portugali. Në vijim, gazetari i njohur btitanik ndalet në momentet e mbrëmjes së 14 tetorit. “Të gjithë ata që ishin të pranishëm në stadium ishin dëshmitarë të një atmosfere të ndezur deri në frenetizëm me tone të larta nacionalizmi. Kjo ishte përballja e parë mes dy kombëtareve që prej vitit 1968 dhe në sfond ishte në çdo moment çështja e Kosovës, një rajon i përbërë nga shumicë shqiptare që deklaroi pavarësinë në vitin 2008. Ky tension rrezikoi që ndeshja të ndizej në çdo moment, ashtu siç u ndez në vitin 1998 situata në terren dhe u shua vetëm nga bombardimet e NATO-s, por jo më parë sepse në atë luftë rreth 10 mijë njerëz humbën jetën. Pavarësisht mungesës së tifozëve miq, masat e sigurisë sipas të gjithë dëshmitarëve ishin të dobëta. Gurë, çakmakë, lazera dhe objekte të tjera u lëshuan në stadium dhe tifozët miq arritën të çanin rrethimin duke hyrë në fushën e lojës në drejtim të lojtarëve shqiptarë. Banera që glorifikonin luftën dhe këngë e kore të tipit “Vritini, vritini shqiptarët dhe digjini derisa të mos ngelet askush” . Prania e huliganit të famshëm Ivan Bogdanov në mes të turmës është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit apo pamundësisë së autoriteteve serbe për të siguruar ndeshjen. Një detaj që na kujton lidhjen e ngushtë të tifozëve ultras të Beogradit me krimet e bandave të Arkanit në fundin e viteve ’90”. Në vijim, Gibson shton se droni shërbeu si shkrepësja për të ndezur fitilin sepse policët dhe steëardët që kishin përgjegjësi për mbarëvajtjen e ndeshjes, u lëshuan mbi lojtarët shqiptarë, të cilët vraponin për t’u larguar nga fusha nën mbrojtjen e lojtarëve serbë. “Në lidhje me dronin dyshimet janë të shumta por për të gjithë ne, përfshirë edhe UEFA-n, pa prova është e vështirë të fajësosh shqiptarët. Federata Shqiptare mbështet hipotezën e saj se lojtarët ishin të dëmtuar dhe të pamundur për t’u rikthyer në fushën e lojës, ndërsa Serbia propozoi riluajtjen e ndeshjes me dyer të mbyllura. Gjithsesi, shqiptarët refuzuan ofertën duke thënë se lojtarët duhej të riktheheshin në klubet e tyre. Nuk ka dyshim se të dyja palët janë fajtore, por ndërsa Serbia do të luajë vetëm dy ndeshje me dyer të mbyllura, është Shqipëria ajo që e pësoi më rëndë nga ky vendim. Çfarë do të ndodhë nëse Serbia kualifikohet përpara Shqipërisë vetëm me diferencë golash? Dhe pyetja tjetër; Çfarë do të bëjë UEFA për ndeshjen e kthimit pas 12 muajsh? Akuzat në drejtim të Serbisë tashmë janë një listë e gjatë. 4 vjet më parë në një ndeshje eleminatore kundër Italisë u pezullua për shkak të kaosit që shpërtheu në shkallët e stadiumit. Të mos harrojmë incidentet sistematike në të cilat përfshihen skuadrat serbe por edhe dhjetorin e vitit 2012 kur ndeshja mes Serbisë dhe Anglisë U-21 u mbyll për shkak të laosit në fushën e lojës dhe akuzave për racizëm. Dy ndeshje me dyer të mbyllura nuk mund ta zgjidhin këtë problem. Javën e shkuar, UEFA nisi një fushatë për javën kundër racizmit por deri në momentin që nuk ndërmarrin vendime koherente, nuk do të shkojnë shumë larg”, mbyllet analiza e redaktorit të “The Guardian”.