SHBA- Tetë vjet pasi Cunami në Oqeanin Indian i mori jetën 230 mijë njerëzve, një film i ri përshkruan traumën dhe shkatërrimin që shkaktoi stuhia. Filmi “The Impossible” bazohet tek një histori e vërtetë, se si vala e cunmait goditi një familje turistësh prej 5 anëtarësh, të cilët kishin shkuar për pushime në Tajlandë. Pamjet grafike i bëjnë vuajtjet dhe humbjet të vështira për t’u parë, por filmi gjithashtu nxjerr në pah se pasi valët u tërhoqën, njerëzit u angazhuan për të ndihmuar njëri tjetrin.
Realizimi kinematografik nga regjisori Juan Antonio i valëve gjigande, që shkatërruan dhe morën me vete gjithshka rrugës, nuk është aspak zbavitës. Ai të kujton atë moment të tmerrshëm në vitin 2004, një ditë pas Krishtlindjes, kur Cunami në Oqeanin Indian i mori jetën qindra mijëra viktimave të pafajshme.
Filmi përqëndohet tek historia e vërtetë e një familjeje të pasur prej 5 anëtarësh, të cilët u përballën papritur me zemërimin e natyrës. Nënën, Marien, dhe djalin e madh Lucas, stuhia i ndau nga pjesa tjetër e familjes.
Maria u plagos rëndë, por ajo mundi të mbijetojë, falë ndihmës së disa personave të panjohur, si dhe të djalit të saj, Lucas. Ndërkohë, Henry, babai dhe dy djemtë më të vegjël, u vunë në kërkim të të dashurve të tyre. Interpretimi emocionues nga Naomi Watts dhe Ewan McGregor, në rolin e prindërve të traumatizuar, si dhe aktori Tom Holland që interpreton Lukan dhe ecejaket tij gjithë shqetësim krijojnë një lidhje mes spektatorit dhe viktimave.
Juan Bayona me ekipin realizues e rikrijuan ngjarjen përmes efekteve speciale, duke i shfaqur skenat e shkatërrimit nga perspektiva e viktimave. Filmi evokon kaosin në spitalet e ngritura për viktimat, kërkimin e dëshpëruar të njerëzve për familjarët dhe vdekjen. Por na sjell gjithashtu në mendje mirësinë e madhe që tregojnë njerëzit në raste krizash:
" Unë besoj se realizimi i këtij filmi ishte një experiencë e veçantë. Fundin e lashë qëllimisht të hapur, që publiku të largohet nga kinemaja me një ndjenjë që i bën të mendojnë,"- thotë regjisori.
Pavarësisht se sa mirë është realizuar, një film nuk mund të përsërisë me përmasa reale dhimbjen dhe dëshpërimin e njerëzve që humbin të dashurit e tyre.