Mediat britanike i bëjnë jehonë lajmit se katër britanikë janë përfshirë në një ekzekutim mafioz në Shqipëri.

Gazeta e madhe ‘The Sun’ shkruan se policët kanë nisur ‘gjuetinë’ për katër britanikë, të përfshirë në ekzekutimin horror të një biznesmeni shqiptar.

“Policia ndërkombëtare është në ndjekje të katër britanikëve për vdekjen e një biznesmeni shqiptar, i cili u qëllua me armë në kafenenë e tij. Grupi prej tre burrash dhe një grua janë në kërkim pas atentatit ndaj manjatit Ardian Nikulaj,” shkruan gazeta.

Sipas saj, britanikët janë arratisur nga Shqipëria në një destinacion të panjohur. Ajo thekson se në kërkim për vrasjen është edhe një shtetas portugez, teksa shton se ai mund të jetë larguar drejt Maqedonisë së Veriut.

Gazeta shton se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin e ekzekutimit, teksa shton se Nikulaj ishte kandidat i Partisë Socialdemokrate. Ai u qëllua shtatë herë me pistoletë.