Tiranë, 12 maj 2014 – Shqipëria po del një burim i frytshëm pune për miqtë dhe familjen Blair, me një kontratë ligjore për zonjën Blair dhe një punë për nipin e Alastair Campbell në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shkruan gazeta “The Telegraph”.
Në vështrim të parë, Shqipëria, një nga vendet me regjimin stalinist më të egër dhe akoma një nga vendet më të varfëra të Europës, duket se nuk mund të jetë tërheqëse për Tony Blair, raporton “The Telegraph”.
Në artikullin e gazetës britanike, të shkruar nga gazetarët Robert Mendick dhe Besar Likmeta, thuhet se “vendi ballkanik, i cili kohët e fundit është zbuluar se është i pasur me naftë dhe me gaz, duket se po mundëson përfitime të shumta për miqtë dhe familjen Blair”.
“The Telegraph” shkruan se z. Blair është këshilltar për qeverinë shqiptare. Por tashmë, rezulton se bashkëshortja e tij, Cherie Blair, ka nënshkruar një kontratë me qeverinë e mëparshme, ndërkohë që edhe nipi i Alastair Campbell, ish-zëdhënës për mediat, ka gjetur një punë si këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë.
Zonja Blair ka nënshkruar një kontratë me vlerë 300 mijë paund për të këshilluar ish-qeverinë shqiptare pasi u miqësua me gruan e ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në një vizitë në Britani.
Zonja Blair, e njohur në botë si avokate për të drejtat e njeriut, prezantoi Shqipërinë në një konflikt prej miliarda dollarësh me një firmë energjetike amerikane.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





