Teksa fati i rrënojave antike në qytetin e Durrësit (rasti “Veliera”) po endet sa andej-këndej pa mundur ende të marrë zgjidhje, janë të huajt që na sjellin në vëmendje këtë pasuri që ne e kemi e për të cilën nuk kemi arritur që ta mbrojmë siç duhet.
Është britanikja “The Telegraph” e cila propozon vendet me rrënojat më të famshme të botës antike. Në këtë renditje është edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga qyteti i lashtë i Butrintit.
Dhe ja se çfarë shkruan gazetarja britanike Leanne Rae në artikullin e saj:
“Shumë vite më parë, kur isha 14 vjeçe, vizitova Butrintin në Shqipëri, të parat rrënoja që kisha parë ndonjëherë. Dikur një qytet i lashtë romak. I kërkova guidës që të na fliste më shumë rreth këtyre rrënojave. E kujtoj shpesh atë dysheme me mozaikë, e cila mbulohej nga një qese plastmase që ishte i vetmi mjet për ta mbrojtur. Ishte hera e parë që vizitoja një pasuri të UNESCO-s dhe hera e parë për shumë gjëra”.
Rae e vazhdon përshkrimin me destinacione të tjera që kanë rrënoja të lashta, siç janë: Nan Madol, në Oqeanin Paqësor, shtëpitë prej guri që gjenden në Zimbabve, Borobudur në Java të Indonezisë, tempulli Mayan në Caracol, kështjella mbretërore në Uells, por edhe rrënojat në Tulum në Meksikë. /Monitor