DURRES, 19 maj 2013– Gazeta britanike prestigjioze “The Telegraph” shkruan se ish-kryeministri britanik, Toni Bler do të jetë një nga këshilltarët e qeverisë shqiptare, në rast se koalicioni i majtë i kryesuar nga Edi Rama do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen më 23 qershor. Në artikullin me titull “Toni Bler, këshilltar i qeverisë së re në Shqipëri” thuhet se sondazhet e deritanishme nxjerrin fituese me 49% të majtën shqiptare dhe në rast të një rotacioni të mundshëm, Bler do të asistojë Shqipërinë në zbatimin e një sërë reformash të reja, të cilat janë prezantuar në programin e partisë së zotit Rama. Tabloidi britanik shkruan gjithashtu se Bler do të mund të jetë një këshilltar i mirë dhe në politikën e jashtme, veçanërisht ndaj çështjes së Kosovës.

Toni Bler është një figurë e dashur e politikës ndërkombëtare dhe njihet si një ndër personat që së bashku me ish-presidentin amerikan Bill Klinton, kanë mbajtur peshën kryesore gjatë luftës së Kosovës dhe për nder të tij mjaft fëmijë shqiptarë në Kosovë mbajnë emrin Tonibler.

“The Telegraph” zbulon se negociatat mes Ramës dhe Bler nisën që në shkurt të këtij viti gjatë vizitës së një prej njerëzve më të afërt të Bler-it, Alastar Kembell në Tiranë, për promovimin e ditarit të tij bestseller. Javën e kaluar, Bler pati një takim me ish- kryebashkiakun e Tiranës, Edi Ramanë të cilin u arrit marrëveshja.

Britanikja thotë se adminirimi për Bler në Shqipëri është mjaft i madh dhe pas takimit të javës së kaluar, Partia Socialiste e përshkruan Bler si “njeriun që transformoi të Majtën Europiane”.

Bler ka marrëveshje me qeveritë e Kazakistanit, Kuvajtit, Brazilit dhe Kolumbisë për ofrimin e asistencës në qeverisje kundrejt pagesave që kapin vlerën nga 4-16 milion paund.

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/