Azilkërkuesit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga vende të konsideruara të sigurta nga Ministria e Brendshme do të deportohen më shpejt sipas planit të ri.

Sipas “The Times”, Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, po kërkon të riaktivizojë një listë të vendeve të përcaktuara “të sigurta”, duke konsideruar kërkesat për azil të qytetarëve të këtyre vendeve të pabaza.

Kërkuesit e refuzuar nuk do të kenë të drejtë të apelojnë. Lista e bardhë përfshin edhe Shqipërinë, e cila ka parë një rritje të madhe të numrit të njerëzve që shkojnë në Britani.

Rreth 12,000 shqiptarë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla gjatë këtij viti nga 43,000 emigrantë që kanë përdorur këtë rrugë kalimi të paligjshme.

Pjesë e listës së bardhë konsiderohen edhe vendet si Maqedonia e Veriut, Moldavia, Bosnja, Serbia, Mali i Zi, India, Mongolia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe një numër vendesh të Amerikës së Jugut. 

“The Times” raporton se Home Office po kërkon të imitojë një politikë të kryer nga qeveria e re laburiste në fillim të viteve 2000, në të cilën ajo trajtonte kërkesat e azilkërkuesve nga vendet e ashtuquajtura “lista e bardhë” brenda dhjetë ditësh.

Emigrantët që mbërrijnë me varka të vogla që janë nga vendet në listë do të ndalohen në vendin e përpunimit të Manston në Kent, ose në qendra të tjera pritjeje, ku kërkesat e tyre për azil do të përshpejtohen. Lëvizja është një nga një sërë masash të hartuara nga Braverman si pjesë e një goditjeje ndaj emigrimit të paligjshëm.

Javën e ardhshme Braverman do të udhëtojë në Francën veriore për të takuar ministrat e Brendshëm nga grupi i kombeve Calais, i cili përfshin Francën, Belgjikën dhe Holandën, për të diskutuar bashkëpunimin e mëtejshëm për çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Grupi informal u krijua këtë muaj për të ndërmarrë veprime kundër emigrimit të paligjshëm në Evropën veriore.

Megjithatë, Home Office mund të hasë ende pengesa ligjore. Masa u konsiderua nga Priti Patel kur ajo ishte sekretare e Brendshme, por nuk u ndoq për shkak të frikës se nuk do të përputhej me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Politika gjithashtu do të dështonte të parandalonte atë që ministrat e kanë përshkruar si një “abuzim” në rritje i legjislacionit modern të skllavërisë, ku shqiptarët po pretendojnë gjithnjë e më shumë se janë viktima për të shmangur dëbimin.