11shtator 2015 – Revista javore e Fifas, “The Weekly” këtë javë zgjodhi për kopertinën e saj, pikërisht futbollin në Shqipëri duke vendosur si titull kryesor: “Me vullnetin e mirë”. Rezultatet e kombëtares shqiptare gjatë eliminatoreve për Euro 2016 por dhe përfaqësimi i klubeve në Europë kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore për futbollin në vendin tonë dhe kjo ka shtyrë, Fifa-n, që t’i dedikojë kopertinën e revistës së saj javore. Shkrimi i Fifas, që përfshin dhe një intervistë të gjatë me trajnerin e përfaqësueses, Gianni De Biasi, në brendësi nis me titullin, shampanjën në akull, me kombëtaren shqiptare që është shumë pranë kualifikimit në një kompeticion madhor sic është europiani.

Për “The Weekly”, pavarësisht humbjes 1-0 në minutën e fundit ndaj Portugalisë, Shqipëria mbetet skuadra e favorizuar për kalimin në fazën finale të Europianit francez dhe fakti që Danimarka do të luajë në takimin e fundit me Portugalinë, ndërsa kuqezinjtë do të kenë dy ndeshje për të zhvillluar të bëjnë të mendosh, se hapja e shampanjës së festës është gati për kombëtaren shqiptare.Në intervistën e tij ndërkohë trajneri De Biasi, thekson se futbolli shqiptar po i hedh hapat një e nga një. Sipas tij ishte e rëndësishme që të ndryshohej mendësia e njerëzve dhe skuadra të luante sipas një stili të ri, të cilin ai është përpjekur ta injektojë në këto 3 vjet. Gjithashtu trajneri ka shtuar, se është e rëndësishme që ekipi të mos vetkënaqet pas një rezultati pozitiv por të kërkojë gjithmonë të përmirësohet, kjo është dhe arsyeja që Shqipëria rezistoi pesë ndeshje pa humbje, për herë të parë në një fazë eliminatore. De Biasi theksoi gjithashtu se për Shqipërinë sigurimi i një vendi në play-off është një arritje e jashtëzakonshme për kombëtaren, por objektivi mbetet gjithsesi kualifikimi në Europian.

Ndërkohë që foli dhe për marrdhëniet e shkëlqyera me FFK, dhe bazuar pikërisht te kjo marrdhënie, nuk i druhet një largimi të mundshëm të futbollistëve aktualë kosovarë nga kombëtarja shqiptare, në momentin që Kosova do të pranohet në FIFA dhe UEFA.Shkrimi mbyllet me influencën që futbolli perëndimor ka te ai shqiptar duke e lidhur këtë me dashurinë e shqiptarëve për lojën por dhe faktin se shumë prej lojtarëve aktualë të kombëtares janë rritur dhe formuar si futbollistë në Zvicër. Ndërkohë që përmend dhe një deklaratë të Beckenbauer në vitin 1990, se ai e kujton ende Panajot Panon, pavarësisht se ky i fundit mund të mos e mbajë mend vetë Kaiserin e futbollit. Gjithashtu vëmendje i kushtohet dhe rritjes së cilësisë në Kategorinë Superiore dhe një klubi në vecanti, Skënderbeut, që ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në Europë duke siguruar dhe një vend në fazën e Grupeve të Europa League.

/portali DurresLajm/