DURRËS, 2 maj 2015 –  Me një fond 16 334 700 lekë (116 mijë euro) Ministria e Mbrojtjes ka vendosur të thellojë detin te baza ushtarake e Bishtpallës.

Ministria e Mbrojtjes njofton se më 9 prill 2014 ka zhvilluar një tender të hapur për thellimin e kanalit, basenit të anijeve te Kepi i Palit, rikonstruksionin e limanit (faza e parë) brenda një afati njëmujor. Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion një fond limit 16 356 954 lekë.

Në prokurim ka marrë pjesë vetëm një firmë, e cila e ka ditur qysh më parë se nuk kishte konkurrentë të tjerë. Operatori ekonomik “Blumar-Skelë” shpk Vlorë, me administrator italianin Salvatore Costanzo, që ia ka blerë 100 për qind kuotat ortakut të vetëm Dashamir Tahiri, deputet i Kuvendit, ofroi një vlerë 16 334 700 lekë, shumë afër limitit. I kurseu shtetit… 22 254 lekë (158 euro)!

Thellimi i gjirit në Bazën e Kepit të Palit, bazë kjo e lënë krejt në mëshirën e fatit dhe vendosja e sistemit digjital të identifikimit të anijeve luftarake, me një rëndësi të veçantë për plotësimin e misionit të Forcës Detare, është parashikuar në buxhetin e vitit 2015 të financohet me 23 milionë lekë.

Info 1 / Baza ushtarake

Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e flotës shqiptare, më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku, nën drejtimin e kapedanit Ahmet Kapidani, filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Në maj të vitit 1971, mbas kryerjes së punimeve disavjeçare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD-së.

Info 2/ Blumar-Skelë shpk

Data e krijimit: 26 shtator 2007. Administrator dhe ortak i vetëm Dashamir Tahiri (aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues i PDIU-së, krahu i PD-së). Adresa: Lagja Pavarësia, Rruga “Kosova”, kulla 12 katesh Vlorë.

Objekti i biznesit: Aktivitete në fushën e ndërtimit, ndërtime civile dhe industriale, rrugore, hekurudhore, ura dhe vepra arti, vepra detare, hidraulike dhe hidroteknike, vepra të veçanta, impiante teknologjike. Aktivitete në fushën minerare. Nxjerrje-përpunim dhe shitje të lëndëve minerare, magazinim, transport dhe përdorim të lëndëve plasëse civile. Aktivitet në fushën e transportit. Aktivitete në fushën e tregtisë, tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve të ndryshëm industrialë dhe ushqimorë etj. Aktivitete në fushën e shërbimeve. Servis automjetesh, parking  dhe ruajtje automjetesh etj.

Më 15 gusht 2008. Kanë ndryshuar të dhënat për Dashamir Tahirin. Kontributi në para ishte 100 000,00, u bë 17 191 598,00.

Më 9 tetor 2009. Është shtuar administratori Salvatore Costanzo. Është larguar administratori Dashamir Tahiri.

Më 30 qershor 2010. Ka marrë pjesë në tenderin e zhvilluar nga Porti Detar sha., Shëngjin për thellimin e kanalit hyrës të portit, me fond limit 66 666 667 leke pa TVSH.

Më 28 tetor 2010. Shitje kuotash. Pronësia ishte shqiptare 100% dhe u bë e huaj 100%. Është shtuar ortaku Salvatore Costanzo. Numri i aksioneve 17 191,00. Përqindja në kapital 100,00. Kontributi në para 80 000 000,00. Është larguar ortaku Dashamir Tahiri.

Më 12 nëntor 2012. Komuna Markat. Formulari i njoftimit të fituesit për shoqërinë “BLUMAR SKELË” shpk Vlorë me drejtues Salvatore Costanzo. Kontrata: Varreza Monumentale e Shqiptarëve të Çamërisë. Qafëbotë. Kllogjer. Fondi limit 99 648 850 lekë, fond i vënë në dispozicion nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/