7 janar 2014 –Fillimi i vitit 2014 duket se i ka gjetur në pozicione më të ftohta dhe mosbesuese, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Socialiste, dy aktoret kryesore të shumicës qeverisëse, të cilat bënë të mundur rotacionin politik në zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve, ku Lëvizja Socialiste për Integrim arriti një rezultat surprizë, kjo forcë politike po kthehet në shqetësim jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Partinë Socialiste, me të cilën po qeveris vendin. Pas mosmarrëveshjeve për taksimin e biznesit fason, tashmë divergjencat mes LSI dhe PS janë zhvendosur në bazë. Mënyra se si LSI e menaxhon pushtetin, i ndan postet dhe i vlerëson, po josh përfaqësues të Partisë Socialiste me influencë në zonat e zyre zgjedhore. Kështu, përfaqësues të Partisë Socialiste po afrohen dhe bashkohen me Lëvizjen Socialiste për Integrim, të joshur nga kjo e fundit. Pas shumë lëvizjesh, të kaluara pa zhurmë, një tjetër lëvizje ka ndodhur në Qarkun e Lezhës. Tre këshilltarë të Partisë Socialiste i janë bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke ndjekur trajektoren e deputetit Gjovalin Kadeli.
Tre këshilltarët janë Hasan Musta, Agim Doda dhe Dava Rusta. Kalimi i këshilltarëve në fjalë nga PS tek LSI, ka ardhur pas lëvizjes së deputetit Gjovalin Kadeli, nga Partia Demokratike tek Lëvizja Socialiste për Integrim. I kontaktuar nga gazeta “SOT”, Kadeli e konsideroi si të natyrshëm bashkimin e tre këshilltarëve të PS me LSI. Duke vlerësuar rolin e këshilltarëve në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë, Kadeli pohoi gjithashtu se këshilltarët ishin mbështetës të tij. Kadeli pohoi gjithashtu se shumë përfaqësues të Partisë Socialiste, të cilët kanë votuar PD në zgjedhjet e 23 Qershorit për shkak të garimit të tij në listat e PD, po i bashkohen LSI. Mësohet gjithashtu se zhvendosja politike e tre këshilltarëve, është pasuar me lëvizje të tjera në këshillat e komunave të Qarkut të Lezhës, ku shumë mbështetës të Kadelit po i bashkohen LSI. Ndërkaq, deputetë të PS të Qarkut të Lezhës, e kanë shpjeguar këtë lëvizje me lehtësinë që ka LSI për të akomoduar dhe rehabilituar në vende pune mbështetësit e saj. Gjithsesi, lëvizje të tilla mësohet se kanë shqetësuar PS, që nga strukturat bazë në Lezhë deri në qendër.
http://www.sot.com.al/politike/thellohen-divergjencat-ps-lsi-n%C3%AB-baz%C3%AB-meta-merr-k%C3%ABshilltar%C3%ABt-socialist%C3%AB-n%C3%AB-lezh%C3%AB-kadeli





