Kryeministri Albin Kurti, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mori pjesë në takimin konsultativ të presidentes Vjosa Osmani për datën e re të zgjedhjeve parlamentare në një kohë kur janë shtuar zërat për dallime mes dy liderëve shtetërorë.
Vetë Osmani deklaroi se Kurti fillimisht e kishte konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa më pas nga zyra e tij kishin thënë se do të ishte jashtë Kosovës ndërkohë që ai ishte në Prishtinë. Presidentja tha se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kishte vullnetin për të marr pjesë në takim, por nuk e kishte pranuar meqë ftesa ishte vetëm për kryetarët e partive.
“Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ne nuk i dimë arsyet, besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë, kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, tha presidentja.
Nga zyra e Kurtit thanë se kryeministri ishte në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, konfirmimin për të cilën e kishte bërë shumë kohë më parë.
Partia Demokratike e Kosovës e vlerësoi ofendim ndaj Osmanit mungesën e Kurtit në takim.
“Mendoj që është ofendim ndaj presidentes në radhë të parë dhe unë nuk dua të komentoj tutje sepse raportet dhe dinamikën e raporteve mes presidentes dhe kryeministrit nuk i njoh mjaftueshëm, ata kanë qenë bashkë, kanë garuar bashkë, janë zgjedhur bashkë, kanë pasur koalicion”, u shpreh Memli Krasniqi.
Presidentja Osmani shfrytëzoi mundësinë që t’i përgjigjet edhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla që të martën mbrëma gjatë një koncerti në sheshin e Prishtinës bëri deklarata interesante. Gërvalla e quajti kryeministrin Kurti “superstar” ndërsa për këngën e Dafina Zeqirit “llafe, llafe” që për fabul ka një ndarje të pashmangshme mes dy personave që duhen, tha se ishte për presidenten Osmani.
“Nëse doni të vazhdojë pak me këngë të Dafinës e ka një të re tash para 1 muaji. ‘Me kast me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’ ka edhe këngë të tjera Dafina”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se ka dallime si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me ministren Gërvalla duke shtuar se është i mundur angazhimi për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe koordinimit me aleatët. “Të gjitha këto munden të bëhen duke respektuar kushtetutën dhe duke u respektuar kontributi i aleatëve të sigurisë. Si presidente e kam mbajtur këtë qëndrim dhe kjo nuk është llafe, llafe por është një realitet të cilin nuk mund të kontestojë askush”, shtoi presidentja.
Qëndrimet e ndryshme mes liderëve ishin vënë re në disa raste që kishin të bënin me politikat e jashtme të vendit.