18 korrik 2015 – Çarja është thelluar mes kryeministrit Rama dhe deputetit Ben Blushi. Në Asamblenë Kombëtare tonet kanë qenë të ashpra dhe akuzat të drejpërdrejta. Pasi Blushi e akuzoi Ramën se ka shkelur statutin, pasi prej dy vjetësh qëndron në krye të PS pa mandat dhe nuk lejon zgjedhjet, Rama i është përgjigjur duke thënë se Blushi ka braktisur partinë dhe ka punuar kundër tij.
“Ti e ke braktisur betejën e PS-së. Kur të tjerët luftonin për vota, ti luftoje kundër PS-së”, mësohet t'i ketë thënë Rama, shkruan ‘Lapsi.al’.
Pyetjes së Blushit se përse nuk është në program zgjedhja e kryetarit, Rama i është përgjigjur duke thënë se mënyrën si do të zgjidhet kryetari do ta përcaktojë Kongresi që do të mblidhet në janar.
Mësohet se Kongresi do të përcaktojë mënyrën si do të zgjidhet kryetari i partisë kur fiton zgjedhjet e përgjithshme. Rama është shprehur më herët se s'ka nevojë për të bërë zgjedhje në parti, pasi ai tashmë është zgjedhur nga shqiptarët si kryeministër dhe se gara për kryetarin e partisë do të ishte e pakuptimtë.
Por deputeti Blushi i ka kërkuar disa herë që të respektojë statutin, rregullat mbi të cilat funksionon një parti politike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/