Qysh nga martesa e saj në vitin 2011, Princesha e Monakos, Charlene Wittstock është përfolur shumë për jetën e saj të trishtë në pallatin e Montekarlos, një ‘kafaz i artë’ nga i cili thashethemet thonë se ka tentuar edhe të arratiset.
Megjithatë, dyshimet dolën sërish në dritë, kur ish-notarja, kaloi pjesën më të madhe të vitit në vendlindjen e saj, në Afrikën e Jugut.
Mungesa e saj u justifikua zyrtarisht me faktin se princesha ishte duke u shëruar nga një infeksion i rëndë, të cilin e mori gjatë një udhëtimi në vendlindjen e saj kundër gjuetisë së rinocerontëve.
Asokohe, princesha e Monakos u shfaq me një stil të ri model flokësh që i habiti të gjithë, të qethura zero anash dhe mbrapa, ndërsa në pjesën e sipërme pak më të gjata.
Spekullimet në media ishin se ajo u largua nga Monako për shkak të marrëdhënies së komplikuar me bashkëshortin e saj, Princi Albert i dytë, zëra që u hodhën poshtë nga vetë ai.
“Ajo nuk u largua nga Monako me zhurmë! Nuk u largua sepse ishte e inatosur me mua apo me dikë tjetër”,– deklaroi princi.
Pas një mungese të gjatë, Charlene u rikthye në Monako, më 9 nëntor. Por, vetëm 11 ditë më vonë, Princi Albert II njoftoi në një intervistë ekskluzive me People se princesha është larguar nga Monako për të marrë shërbim të specializuar dhe për t’u qetësuar, duke thelluar edhe më tej misterin për të.
“Rikthimi i saj në shtëpi shkoi mjaft mirë në orët e para, por më pas u bë e qartë se ajo nuk ishte mirë. Ajo po vuan nga një lodhje e thellë, emocionale dhe fizike”.
Daljet publike të 41-vjeçares kanë qenë të rralla, ndërsa pamja serioze, ku një buzëqeshje është tejet e vështirë të kapet, e ka shndërruar vajzën që duhej të zëvendësonte në memorien e publikut figurën e ‘divës’ Grace Kelly në figurën më misterioze të aristokracisë europiane.