Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi thellimin e procesit të verifikimit të integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Për këtë qëllim, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi urdhrin “Për miratimin e ‘Formularit të vetëdeklarimit’ mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit”.
Pas firmosjes së urdhrit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u shpreh:
“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit”.
Procesi i verifikimit të integritetit do të nisë me vetëdeklarimin e punonjësve të Policisë së Shtetit lidhur me të dhënat për sigurinë si:
· Dënimi ose jo me vendim gjyqësor të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja, apo me vendim gjyqësor jopërfundimtar për një çështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë;
· Shkelja ose jo e rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe tentimi ose jo i kryerjes së aktivitetit të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar;
· Qenia ose jo në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja për vepra penale;
· Qenia ose jo i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja për vepra penale;
· Caktimi ose jo i ndonjë mase shtrënguese të sigurisë personale;
· Lëshimi ose jo i një urdhri kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale;
· Pasja ose jo e kontakteve të papërshtatshme, komunikimeve elektronike ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krimin e organizuar;
· Pranimi apo shkëmbimi, ose jo, i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Në bazë të urdhrit të Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, procesi i vetëdeklarimit do të zgjasë deri më 30.06.2024 dhe punonjësit e Policisë së Shtetit do të deklarojnë edhe ndërprerjen e marrëdhënieve juridike të punës me Policinë e Shtetit, për plotësim të pasaktë ose të dhëna të pavërteta në formularin e vetëdeklarimit.