*Fermerët e Durrësit: Nuk është pjekur ende prodhimi vendas. Tregu është mbytur nga produktet me hormone e të modifikuara gjenetikisht!
Konsumatorët në Durrës kanë denoncuar një ditë më parë braktisjen e të gjitha frutave, perimeve e zarzavateve, të cilat në treg kanë dalë me çmimeminimale, me shumicë e pakicë.
Sot fermerët e zonës së Sukthit e të fshatrave të tjerë në Durrës, që sjellin produktet e tyre në treg, të pyetur nga “DurrësLajm”, shprehen se përveç kastravecit që është pjekur në fushë, në hapat e parë të pjekjes është domatja, bishtaja dhe bamja.
“Kastraveci është i fushës, por domate nuk ka. Nuk ka asnjë mundësi që fermeri të sjellë në treg 3kg domate 100 lekë. Domatet e para janë duke u pjekur, por nuk kanë dalë në treg. Është dita e parë e daljes së bamjes së fushës, ndërsa të gjitha produktet e tjera nuk janë të fushës, as të stinës. Nuk duhet të gënjehet konsumatori”, është apeli i fermerëve.
“Është e pakonceptueshme të tregtohet domatja 3 kg/100 lekë. Nuk mbulon as koston e prodhimit. Në treg patëllxhani, speci, e shumë perime të tjera janë me çmime minimale, më të ulëta se në pikun e prodhimit të tre muaj qershor, korrik e gusht. Duhet të shihen të bëhen analizat e të kontrollohen se me çfarë mënyrash janë prodhuar perimet që konsumojnë gjerësisht konsumatori durrsak. Fruta të stinës janë qershitë dhe fiqtë, ndërsa portokallet pjekjen e tyre e kanë në muajt e ftohtë të dimrit”.
Tregjet janë lënë në mëshirë të fatit, ashtu siç është lënë shëndeti i konsumatorëve. Konsumatorët sot përballen me krizën më të rëndë të të ushqyerit. Produktet e modifikuara gjenetikisht , ato me hormone janë jashtë çdo kontrolli nga specialistët. Në treg nuk përdoren faturat tatimore, produktet tregtohen jashtë kontrolleve. Konsumatori i blen sëmundjet me para në dorë, shpenzon para për të blerë produkte jashtë cilësie, të cilat i shkaktojnë sëmundje, e sërish blen barna për të kuruar sëmundjet që i shkaktojnë produktet ushqimore.
K.H.





