RUMANI– Skandali për shitjen e mishit të kalit në produktet e mishit të viçit në Britani e Francë ka marrë përmasa të gjëra. Dyshohet se këto produkte mund të kenë ardhur nga një thertore ne Rumani.

Vetë qeveria rumune ka kërkuar nisjen e një hetimi mbi këtë çështje. Gjithashtu vendet përkatëse ku eksportohen këto produkte deklarojnë se do të merren masa nëse shkelja e ligjit do të konfirmohet. Kryetarja e komitetit të ushqimit dhe çështjeve rurale në parlamentin britanik, Anne McIntosh ka kërkuar ndalimin e përkohshëm të të gjitha importeve të mishit nga BE-ja.

Por, zërat kundër thonë se një lëvizje e tillë nuk do ta zgjidhte problemin. Londra zyrtare premtoi ndëshkimin e të gjithë atyre që shesin mish kali në produktet e viçit, pas përmasave gjithmonë e më të mëdha që skandali ka marrë.

“Asnjëherë nuk mund të dish me siguri se çfarë po ha kur konsumon mish dhe episodet e fundit këtë e kanë dëshmuar qartë. Nuk mund ta dish 100% nëse po ha mish kali apo lope”,- deklaroi Ëilliamson, zëdhënës i shoqatës PETA.

Gjashtë rrjete të supermarketeve franceze kanë tërhequr lazanjën dhe ushqime të tjera të gatshme pas testimeve në Britani që treguan se në vend të mishit të pastër të viçit ato përmbanin mish kali, raporton radioja franceze France Info.  

Supermarketet Auchan, Casino, Carrefour, Cora, Monoprix dhe Picard i kanë tërhequr të gjitha lazanjet dhe ushqimet tjera që përmbajnë mish nga furnizuesi Findus ose nënktraktori Comigel.

Comigel, një kompani me seli në qytetin lindor të Metzit, prodhon ushqimin e gatshëm edhe për Findus-in edhe për versionet e supermarketeve të brendit të vet.

Comigel tha se ka blerë mishin duke i besuar furnizuesit francez Spanghero. Ndërkohë Spanghero u mbrojt duke deklaruar se furnizuesi rumun e ka siguruar se mishi ishte i viçit.