Akademia Goga Basket ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Flamurtarit Viron Toska, bërë në një të përditshme sportive ku trajneri vlonjat shprehet se Ledina Koçi nuk është trajnere e Flamurtarit. Akademia Goga Basket shprehet se kjo deklaratë e trajnerit vlonjat është në vazhdën e manipulimit që iu bë ndeshjes Goga Basket-Flamurtari ku arbitri i ndeshjes ishte bashkëshorti i trajneres së Vlorës.
Goga Basket ka reaguar duke publikuar foto dhe video ku duket qartë trajnerja vlonjate me vajzat e Flamurtarit duke festuar për kupën. Në këtë mënyrë skandali i kësaj ndeshjeje thellohet edhe më tej pasi është e patolerueshme që Ervin Koçi, bashkëshorti i trajneres së Flamurtarit Ledina Koçit të arbitrojë ndeshjen Goga Basket-Flamurtari. Madje në videon e publikuar nga Goga Basket vërtetohen sipas kësaj akademie edhe ato që ndodhën gjatë ndeshjes dhe sidomos në dy minutat e fundit ku arbitrimi i Ervin Koçit përcaktoi ekipin fitues të ndeshjes pasi arbitrat u treguan totalisht të njëanshëm, sipas akademisë, gjë që në fakt ka sjellë edhe irritimin e tifozerisë së shumtë durrsake.
Ja reagimi i plotë i akademisë Goga Basket bërë në faqen e saj zyrtare në facebook:
“Fotot e publikuara të trajneres së dytë të Vlorës Ledina Koçi e paregjistruar si e tillë në FSHB për të mbuluar pisllëkun që organizohet sa herë Flamurtari ka nevojë për burrin e saj arbitër Ervin Koçi si dhe deklarata në "Panorama Sport" e trajnerit të Flamurtarit Viron Toska që e mohon faktin që ajo është trajnere vërtetojnë plotësisht manipulimin që ju bë kësaj ndeshjeje. E denoncuam këtë fakt në FSHB më 27 mars, e denoncuam dhe dje dhe askush nga manipulatorët se pranon. Ja ku i keni fotot. Ja ku e keni videon. Të tjera do t'ju ndjekin sa herë të doni. Goga Basket nuk do jetë kurrë pjesë e pazareve që kurdisen në federatë, por do t'i denoncojmë ato dhe pse na quajtën " mendje të sëmura “.
Në videon e publikuar paraqitet një nga rastet e shumta të njëanshmërisë së arbitrave sipas Goga Basket. Në video tregohet një rast flagrant ku në minutën e fundit të ndeshjes basketbollistja e Goga Basket e vetme poshtë koshit do të shënonte një kosh përcaktues për lojën dhe ndalet me faull nga kundërshtarja dhe arbitri jo vetëm nuk jep faull, por e kalon si situatë normale duke dhënë rivënie fundore për Flamurtarin, ndërkohë që nga kjo goditje u dëmtua edhe fizikisht lojtarja e Goga Basket.