Themeluesi i Telegram, Pavel Durov është liruar nga paraburgimi në Francë dhe është dërguar në gjykatë për t’u marrë në pyetje përpara aktakuzës së mundshme.

Durov është transportuar me një automjet policie nga zyra që merret me mashtrim, shkruan CNN.

Prokurorët në Paris thanë se ai tani do të përballet me “pyetjet fillestare dhe aktakuzën e mundshme” në një gjykatë në kryeqytetin francez.

Durov (39) u ndalua të shtunën, më 24 gusht në aeroportin e Parisit Bourges bazuar në një urdhër në lidhje me përmbajtjen e diskutueshme të publikuar në Telegram.

Themeluesi rus i aplikacionit të mesazheve Telegram është arrestuar në Francë si pjesë e një hetimi, i cili ka të bëjë me përfshirjen e dyshuar në akte të ndryshme kriminale, duke përfshirë drejtimin e një platforme online që mundëson transaksione të paligjshme, pornografi me fëmijë, trafik droge dhe mashtrim, si dhe refuzimin për të dhënë informacion autoriteteve, pastrim parash dhe ofrimin e shërbimeve kriptografike për kriminelët, thuhet në deklaratë.

Telegrami është një aplikacion i koduar, ka afër një miliard përdorues dhe është veçanërisht me ndikim në Rusi, Ukrainë dhe republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.

Është renditur si një nga rrjetet kryesore sociale pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe WeChat. Forbes vlerëson pasurinë e Durov në 15.5 miliardë dollarë.