Gianluca Mazzarelli, 21-vjeçari italian i arrestuar për vrasjen e shqiptarit Ervin Tola në Piaçenza mbrëmjen e 29 dhjetorit, e kupton se krimi që ka kryer është i rëndë, megjithatë është i qetë. Kështu është shprehur avokati i italianit.

“E gjeta klientin tim të qetë. E kupton plotësisht se sa e rëndë është ngjarja për të cilën është akuzuar. Për momentin nuk përjashtoj që të kërkoj të dëshmojë sërish në Prokurori ditët në vijim”, citohet Antonino Rossi nga mediat italiane.

Ndërkaq, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe gjetjen e armës së krimit.

Tola u ther me thikë para një bari në Piaçenza, pas një konflikti të çastit me shtetasin Italian. Grindja nisi në ambientet e lokalit, për t’u spostuar më pas jashtë, ku dhe u godit me thikë shqiptari Tola para syve të shumë dëshmitarëve.