DURRËS, 17 prill 2013 – Nuk bëhet fjalë për kërkues të mirëfilltë të metaleve të çmuara, por për persona që nxjerrjen e bizhuterive apo parave të humbura nga pushuesit dhe turistët e kanë kthyer në një pasion fitimprurës, shkruan gazetari i mirënjohur Bruno Marku në të përditshmen “Dita”.

Në brigjet e plazheve të Durrësit janë shfaqur në fundjavën e kaluar ekipe kërkuesish të thesareve.

Metal-dedektorë nënujorë

Kolegu Marku i tha “Dyrrah”-ut se kërkuesit, të pajisur me mjete kërkimi bashkëkohore që njihen si metal-dedektorë nënujorë, tip “fisher”, kanë bërë skanimin e brigjeve ranore si dhe të bregut të cekëtinës ujore të plazhit të Durrësit.

Kërkimet në det i kanë filluar pasi kanë kaluar një skanim të imtësishëm të bregut të rërës, thonë banorët që kanë ndjekur me shumë kuriozitet kërkimet e tyre për "pasuritë" që humbasin pushuesit gjatë sezonit të pushimeve verore.

Duke përfituar nga ditët me diell dhe sasia e ulët e dallgëzimit në det, kërkuesit e thesareve, pasi kanë kërkuar në bregdet në zonën e fashës së rërës, kanë filluar eksplorimin edhe në ujë në një thellësi rreth një metër dhe afërsisht 100 metra larg bregdetit në drejtim të thellësisë.

Bizhuteri

Kërkuesit e thesareve gjurmojnë me mjetet e kërkimit të metaleve kryesisht bizhuteri që u bien pushuesve në sezonin e verës kur ka edhe superpopullim të zonës dhe gjatë notimit apo pushimit në rërë nga pakujdesia u bien bizhuteritë me metale te çmuara kryesisht varëse floriri ose argjendi, por edhe objekte si unaza. Ka raste që gjenden edhe orë dore, madje ka pasur edhe raste të gjetjes se orëve te çmuara që u përkasin markave serioze si dhe orë floriri.

Ndërsa në rërë, sipas kërkuesve, krahas varëseve dhe unazave, gjejnë kryesisht monedha vendase të ndryshme, të cilat u bien pushuesve në rërë gjatë kohës së qëndrimit në shezlongë nga pakujdesia dhe nuk gjenden më pas, pasi mbulohen nga shtresat ranore të plazhit.

Pas skanimit të bregdetit të plazheve të Durrësit, ky inkursion i veçantë i kërkuesve të thesareve do të shtrihet në plazhet e Golemit si dhe në zonat më të varfra bregdetare ku ka pasur më pak pushues.

“Ethet e arit”

Por “Dyrrah”-u ka zbuluar se gjeologë të vjetër kanë nxitur fantazinë e disa personave që të shndërrojnë bregdetin e Durrësit në një “Alaskë”.

Kjo dhe por faktin se në vitin 1967 u ndërtua në Shkozet një impiant eksperimental, ku u bënë prova të pasurimit të rërave bregdetare.

Para disa kohësh, Dyrrah”-u botoi një informacion të shumë-klikuar, ku shkruhet se si toka ashtu dhe rëra bregdetare e Durrësit janë të pasura me minerale të rralla, aq të kërkuara në industrinë elektronike, fakt që ka tërhequr dhe vëmendjen e gjeologëve rusë dhe kinezë.

Në vitin 1967 janë bërë studime mbi shkrifërimet bregdetare dhe leverdinë ekonomike të shfrytëzimit të tyre si dhe mbi kërkimin e burimeve rrënjësore të arit.

Madje është parë mundësia e ripërtëritjes së shfrytëzimit në përroin e Rrushkullit dhe karakterin e shpërndarjes së arit me ndihmën e provave gjeologe-teknologjike.

Regjimi komunist e ndërtoi “Alaskën” e vet.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/