Qendra Kombëtare e Muzeve në Berat e ka titulluar “Thesare të fjetura” ekspozitën e çelur në muzeun “Onufri”, që sjell një koleksion të paekspozuar më parë, një thesar që vjen në dritën e diellit me të gjithë shkëlqimin e tij.
Kjo është hera e parë që Koleksioni i Muzeut Ikonografik “Onufri” pasurohet me 20 objekte të transferuara së fundmi nga Fondi i DRKK-së Berat.
Është një seri ikonash, të gjitha të dorës së parë, që u atribuohen mjeshtrave ikonografë: Onufrit, Nikollës, Qipriotit, ateliesë së familjes Çetiri etj, një kryq argjendi dhe lipsanat veshur në argjend, të destinuara kryesisht për kishat dhe manastiret e Kalasë së qytetit të Beratit, por dhe të zonës përreth.





