Thesaret e trashëgimisë sonë kulturore kanë pushtuar median italiane. Ekspozita e dërguar në shtetin fqinj me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ka tërhequr vëmendjen e emrave prestigjiozë të rrjeteve që informojnë publikun si "La Stampa", "La Republica" e "Sky News".
Pas paraqitjes në "Vittoriano" të Romës, ekspozita "Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare", e organizuar me rastin e njëqind vjetorit të pavarësisë nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Romë dhe ministritë homologe në vendin fqinj, ka udhëtuar drejt Torinos ku është hapur në 24 Janar 2013-të. Sipas kuratorit të saj, drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, z. Apollon Baçe, ekspozita është e veçantë pasi përbën një risi në llojin dhe përmasat e saj, një herë të parë në historinë e shtetit shqiptar. Në Torino, thesaret shqiptare janë ekspozuar në mjediset sugjestive të Muzeut të Artit Antik në Palazzo Madama, godinë historike në qendër të qytetit, dikur kështjellë mesjetare pjesë e pallatit mbretëror të dinastisë Savoja.
Objektet e trashëgimisë shqiptare i ofrojnë publikut artdashës torinez një udhëtim emocionues në kohë dhe hapësirë, që nis në epokën parahistorike dhe përfundon në mesjetën e vonë. Ato vijnë në kryeqendrën subalpine në një përmbledhje të rrallë, ku bëjnë pjesë disa prej veprave më të njohura e më të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, ndër të cilat "Koka e Apolonit", e njohur për vite me radhë si "Dea e Butrintit", "Epitafi i Gllavenicës" dhe një përzgjedhje e pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh shqiptar, Onufrit.
Interesi
Ekspozita kushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare ka ngjallur interesim të madh në mediat dhe publikun e gjerë të vendit fqinj. Kështu, në konferencën për shtyp të organizuar me rastin e inaugurimit të saj në Torino, morën pjesë me dhjetëra gazetarë të mediave kryesore italiane, ndër të cilat radiotelevizioni publik 'RAI', të përditshmet 'La Stampa' dhe 'La Repubblica', agjencia e lajmeve 'ANSA', etj. Pala shqiptare u përfaqësua në inaugurim nga z.Apollon Baçe, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe z. Llesh Kola, Ambasador i Shqipërisë në Itali. Pas vizitës, kryetari i Bashkisë së Torinos Piero Fasino dhe ish-kryeministri Massimo D’Alema shprehën vlerësimin e tyre për vlerat e larta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe bindjen se ato do t'i shërbejnë njohjes më të mirë reciproke mes italianëve dhe shqiptarëve, si edhe nxitjes së turizmit kulturor drejt vendit tonë.
"Kjo është një veprimtari kulturore e rëndësishme për dy arsye: E para sepse Italia dhe Shqipëria janë dy vende që gjatë shekujve kanë ndërtuar marrëdhënie të forta e të shumëfishta, kryesisht në rrafshin e kulturës dhe të qytetërimit", ka thënë për mediat, kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino. Sipas tij, për torinezët pra, njohja e Shqipërisë, historisë, traditave dhe kulturës së saj është gjithashtu një mënyrë për të njohur një pjesë të kulturës së tyre. "Arsyeja e dytë lidhet me faktin se tashmë në Torino jeton një bashkësi e madhe shqiptare e përbërë nga thuajse pesë mijë qytetarë; është e drejtë që ata, në qytetin e ri ku kanë zgjedhur të jetojnë, të mund të gjejnë të pasqyruar kulturën, qytetërimin dhe identitetin e tyre të origjinës", deklaroi Fasino.
Qytetari i parë i Torinos, bëri me dije se ekspozita është një event kulturor i rëndësishëm për qytetin dhe për bashkësinë shqiptare atje, e kjo e bën atë të mendojë se do të ndihmojë secilin prej nesh të mësojë dhe të kuptojë më shumë, për të jetuar më mirë së bashku. Një vlerësim ka dhënë nga ana e tij edhe një tjetër emër i njohur i politikës Italiane. "Shqipëria është fare pranë vendit tonë dhe brigjet e saj janë kaq të paeksploruara dhe pjesërisht të virgjëra, sa të përbëjnë një joshje të madhe për ata që pëlqejnë bregdetin", ka thënë ish-kryeministri italian D'Alema. Ai ka shtuar se përtej turizmit, mendon se lidhjet që janë krijuar gjatë viteve mes dy vendeve tona, solidariteti në procesin demokratik dhe lidhjet kulturore dhe ekonomike ekzistuese janë një vlerë, një faktor sigurie dhe bashkëjetese. "Ne jemi ndër ata që mendojnë se Bashkimi Europian duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor për të plotësuar kështu procesin e integrimit të Europës. Momente si ky, ku Shqipëria paraqitet me thesaret e artit dhe të kulturës së saj janë sigurisht shumë të rëndësishme për tu afruar edhe më shumë", ka theksuar D'Alema.
Ndërkaq, politikani ka deklaruar se ka besim që politika e miqësisë me Shqipërinë dhe politika e Italisë në favor të aderimit të vendeve të Ballkanit në BE është një element që nuk njeh ndasi në politikën italiane. "Politika italiane është e ndarë në shumë gjëra, por ky është një objektiv për të cilin jemi dakord të gjithë. Prandaj nga kjo pikëpamje mendoj se miqësia mes dy vendeve tona do të vijojë të jetë një element themelor i politikës sonë të jashtme", -ka përfunduar ai.
Ekspozita "Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare" do të qëndrojë e hapur në Torino deri në 7 Prill të këtij viti. Falë promovimit të fuqishëm në media dhe jo vetëm, nga ana e institucioneve kulturore të qytetit, në bashkëpunim edhe me shoqatat dhe organizatat kulturore të bashkësisë shqiptare në Itali organizatorët presin që numri i vizitorëve të ekspozitës të jetë mjaft i lartë, çka do të kontribuojë në njohjen më të mirë të Shqipërisë, shqiptarëve dhe kulturës së tyre mijëravjeçare, me rrënjë të hershme në trungun e kulturës europiane.