Avokatja e emisionit “Shihemi në gjyq”, Eni Çobani, ka reaguar për herë të parë në lidhje me ankesën që është bërë nga Dhoma e Avokatisë së Gjirokastrës.

Kërkesa nga Dhoma e Avokatisë së Gjirokastrës që mund t’i rrezikojë heqjen e licensës Çobanit, është bërë pasi sipas tyre ajo ka thyer bojkotin e avokatëve duke marrë pjesë në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Faktit në Përmet.

Eni Çobani ka reaguar së fundmi në lidhje me të gjitha lajmet, duke zbuluar se ajo nuk ka marrë ende asnjë ankesë zyrtare.

“Përshëndetje të gjithëve! E bëj këtë lidhje direkte nga zyra ime me dëshirën e mirë për të sqaruar një situatë jo të këndshme që sot në mëngjes është paraqitur.

Më vjen shumë keq sepse e mira është që kur informacionet jepen në mënyrë publike duhet që të pyetet edhe pala e cila përmendet.

Për shkak të kohës që kam në dispozicion më duhet që të flas pak shpejt. Për t’ju qetësuar të tërëve, unë nuk jam e informuar zyrtarisht për asnjë lloj ankese.

Më kanë çuar faqe të ndryshme shumë kolegë që u çuditën që si është e mundur, pasi unë kam një kalendar shumë të dendur në gjykatat e Shqipërisë gjë të cilën e vërtetojnë vetë qytetarët”, shprehet avokatja në një video të publikuar në profilin e saj në Instagram, të cilin e shoqëron me hashtagun #shiheminëgjyq.

Avokatët e Përmetit janë ndeshur me avokaten Çobani në hyrje të gjykatës, por ajo ka hyrë ne godinë duke thyer bojkotin.

Sipas kërkesës së lëshuar thuhet se Eni Çobani pasi është paraqitur ka marrë fjalën dhe ka diskutuar në këtë gjykim.

Dhoma e Avokatisë se Gjirokastrës ku pjesë janë edhe avokatët e Përmetit, ka siguruar procesverbalin e seancës gjyqësore në Gjykatën e Përmetit dhe bashkë me të, i ka dërguar Komitetit te Disiplinës të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në Tiranë, një ankesë ku i kërkohet marrja e masave ndaj Eni Çobanit me heqjen e licencës.