Mes rregullave strikte të protokollit për rikthimin e futbollistëve në stërvitje është edhe mbajtja e një makine dhe mosndryshimi i saj në këtë periudhë. Të gjithë lojtarët duhet të regjistrojnë automjetin e tyre në federatë dhe atë duhet ta përdorin për të shkuar në qendrën stërvitore.
Mesfushori i Barcelonës, Artur Melo, është bërë çështje sepse nga e premtja në të hënën ndryshoi makinën dhe kjo gjë është “kapur” nga mediat spanjolle, të cilat ditën e djeshme raportuan se braziliani ka thyer protokollin. Të premten ai kishte shkuar në stërvitje me një “Range Rover”, ndërsa ditën e djeshme ishte me “Ferrari”.
Ndoshta futbollisti brazilian nuk e ka fiksuar mirë këtë gjë dhe mund të ketë gabuar, por ekipi i Barcelonës e ka mohuar diçka të tillë. Katalanasit kanë treguar për gazetën “AS” se Artur u detyrua të përdorte makinën tjetër sepse tipi “Range Rover” kishte probleme dhe i kishte rënë bateria. Barcelona shpjegon gjithashtu se personat përgjegjës të La Ligës ishin njoftuar më parë për këtë ndryshim dhe për këtë arsye nuk ka asnjë shkelje.





